Qendra e djathtë fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari!
Mësohet se aleanca pro perëndimore e qendrës së djathtë, Gerb-SDS ka dalë fituese e qartë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari, të mbajtura një ditë më parë. Kjo sipas rezultateve të para zgjedhore në shtetin bullgar. Votimi, që i bie për zgjedhjet e gjashta parlamentare të Bullgarisë në pak më shumë se tre vjet, u zhvillua paralelisht me zgjedhjet e Parlamentit Europian, nga data 6 deri më 9 qershor 2024.
Aleanca e qendrës së djathtë Gerb-SDS e ish-kryeministrit Bojko Borisov, e cila ishte në pushtet deri në muajin mars, parashikohej të merrte midis 23,5% dhe 25,2% të votave, sipas të dhënave nga institutet e kërkimit të opinionit të publikuara dje.
Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që tradicionalisht përfaqëson pakicën turke të Bullgarisë, çuditërisht dukej se do të vinte e dyta me 16 e 17,6% të votave.
Si blloku liberal-konservator PP-DB, i cili qeverisi në një koalicion me Gerb-SDS deri në mars, ashtu edhe partia pro-ruse, skeptike ndaj BE-së “Vazrazhdane” (“Rilindja”) kishin një shans për të dalë të tretët me rreth 14% secili.
Për shkak të rënies masive të votave, bashkëkryetari i PP-së liberale, Kiril Petkov, shkroi në Facebook se tani, ata do të jenë një parti “e fortë opozitare”. Analistët politikë presin vështirësi në formimin e një qeverie duke pasur parasysh pamjen e fragmentuar të parlamentit që po shfaqet. Referuar sondazheve, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte mjaft e ulët, në nivelin rreth 30%.
Sa i përket zgjedhjeve europiane që u mbajtën dhe në Bullgari, si një prej 27 vendeve anëtare të Unionit, rezultatet paraprake treguan se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian, por fitorja e së djathtës ekstreme iu dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francës dhe Gjermanisë. Zgjedhjet u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Europian.
Qendra po mbahet, por gjithashtu është e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Dhe kjo është arsyeja përse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë e qendrës, shtoi von der Leyen, e cila synon rizgjedhjen. Shumicën në Parlamentin Europian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Europiane, me 184 prej tyre.