Rama viziton Kosovën në 25-vjetorin e çlirimit, takim me Osmanin!

vovalbania June 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama viziton Kosovën në 25-vjetorin e çlirimit, takim me Osmanin!

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Prishtinë, me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Shefi i qeverisë u prit nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, me të cilën zhvilloi një takim kokë më kokë.

Më pas, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Ibrahim Rugova, si dhe të vendeve aleate, që patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës. Aty do të jenë të pranishëm edhe personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema.

Në vijim të axhendës, kryeministri Edi Rama do të pritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit Rama do të marrë pjesë dhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve e veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po në këtë datë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB, miratoi Rezolutën 12-44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE