Si me anglishten, doli dhe teza e provimit të Gjuhës Shqipe e Letërsisë!
Një nga tezat e provimit të Gjuhës Shqipe e Letërsisë, i dyti i Maturës Shtetërore 2024, u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, 30 minuta nga nisja e testimit. Lidhur me këtë zhvillim të përsëritur, reagoi Ministra e Arsimit duke theksuar se “procesi po kryhet brenda të gjitha standardeve të sigurisë, të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore e nuk cënohet procesi”.
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se publikimi i tezës së provimit të maturës të Gjuhës Shqipe dhe Letërsi, pas nisjes së provimit, nuk cenon aspak procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Marurës Shtetërore.
Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin vazhdojnë të zhvillojnë provimin e tyre në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore.
MAS dhe institucionet arsimore mbeten të angazhuar për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë për të gjithë maturantët, duke u kujdesur që çdo shqetësim i opinionit publik të trajtohet me seriozitetin e duhur.
Në të njëjtën kohë, Ministria thekson se institucionet arsimore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të provimit dhe për të ruajtur integritetin e tij.
Suksese të gjithë maturantëve! Falënderime çdo mësuesi, administratori dhe monitoruesi të angazhuar në këtë proces të rëndësishëm të provimeve të Maturës Shtetërore, thuhet në njoftim.
Rreth 28 mijë maturantë sot testohen për njohuritë e tyre në Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë. Pas provimit të parë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës së Huaj, gjimnazistët kanë para pyetjet me alternativa dhe zhvillim në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Testi përmban gjithsej 60 pikë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi të gjithë maturantët që zhvillojnë provimin e rëndësishëm të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Një javë më parë, teza e anglishtes u publikua në të dyja variantet në rrjetet sociale, 30 minuta para nisjes së testit. Çdo vit përsëritet historia e publikimit të tezave të provimeve të Maturës, që si rregull duhej të ishin sekret.
Rreth 28 mijë maturantë në vend iu nënshtruan testit të hartuar me tre nivele vështirësie, bazuar në programin mësimor. Provimi zgjati 2 orë e 30 minuta. 70% e qendrave të provimit ishin të pajisura me kamera.