Sot protesta e opozitës te Bashkia Tiranë, kujdes me rrugët ku do të kaloni!
Policia e Shtetit bën të ditur se ka marrë masa organizative, si dhe operacionale për garantimin e rendit publik e sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, sot në ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Eshtë fjala për protestën e radhës së një pjese të opozitës, Rithemelimit e Partisë së Lirisë e që pason arrestimet nga SPAK-ut të disa drejtorëve e ish-drejtorëve të këtij institucioni për korrupsion.
Në protestat e mëparshme janë shënuar tensione, si dhe nuk kanë munguar flakët e tymi krahas përpjekjes për të çarë kordonin policor e hyrë në mjediset e Bashkisë Tiranë.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, ka bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë Tiranë.
Për këtë, Policia e Shtetit sugjeron që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë e vetë pjesëmarrësve në tubime.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.