Tony Blair në Kosovë: Bombardimet e NATO-s, gjëja e duhur!

vovalbania June 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tony Blair në Kosovë: Bombardimet e NATO-s, gjëja e duhur!

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha se bombardimet e NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe në vitin 1999, me qëllim ndalimin e dhunës në Kosovë, ishin “gjëja e duhur për t’u bërë”. Komentet i bëri në Prishtinë, në 25-vjetorin e përfundimit të asaj fushate, që i dha fund luftës. Blair foli në një konferencë shtypi me presidenten Vjosa Osmani.

Eshtë një moment i emocionit të thellë që të jem sërish këtu. Unë kam besuar se ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë atëherë e besoj edhe tani se ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë.

Më 1999-ën, roli juaj si kryeministër britanik ishte vendimtar. Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes, u shpreh Osmani duke iu drejtuar Blair-it.

Blair do t’i drejtohet me një fjalim edhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Si kryeministër i Britanisë së Madhe në ato vite, po ashtu ishte njëri nga njerëzit kyçë që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999, vetëm një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Me këtë akord të negociuar ndërmjet Aleancës Veri-Atlantike dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave të Millosheviçit u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO. Kjo është vizita e tretë e Tony Blair-it në Kosovë që nga viti 1999, pra në 25 vjet.

Në Prishtinë, sot po qëndron edhe kryeministri Edi Rama, me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Shefi i qeverisë u prit nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, me të cilën zhvilloi një takim kokë më kokë.

Më pas, Kryeministri Rama merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Ibrahim Rugova, si dhe të vendeve aleate, që patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës. Aty janë të pranishëm edhe personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema.

Në vijim të axhendës, kryeministri Edi Rama do të pritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64082 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE