Angli, gjobë deri në 500 paund nëse nuk regjistron macen!
Miliona pronarë macesh në Angli rrezikojnë një gjobë deri në 500 stërlinash nëse nuk arrijnë ta bëjnë macen e tyre me mikroçip dhe të regjistrojnë në një bazë të dhënash sipas ligjeve të reja që hyjnë në fuqi. Legjislacioni zbatohet për macet e moshës 20 javëshe e lart, por nga nëntë milionë mace shtëpiake të vlerësuara në vend, deri në 2,2 milionë ende nuk kanë çip, sipas të dhënave nga shoqata bamirëse ”Cats Protection”. Të kesh një mace me mikroçip nga një veteriner kushton midis 20 dhe 30 stërlinash.
Sipas studimit të kryer nga organizata bamirëse, rreth një e katërta e pronarëve nuk arritën t’i bënin macet e tyre me mikroçipe dhe kjo ishte për shkak se kafshët e tyre nuk dilnin jashtë shtëpie. Pothuaj 14% e tyre kishin deklaruar se ata arrinin t’i identifikonin ato nga gëzofi i tyre. Pronarët e kafshëve që nuk kanë mikroçip do të kenë 21 ditë kohë për të implantuar një të tillë, në rast të kundërt do të përballen me gjobë financiare.
Skema e detyrueshme synon të lehtësojë ribashkimin e maceve shtëpiake të humbura ose të rrugës me pronarët e tyre. Në MB shumë mace të humbura jetojnë një jetë të frikshme në rrugë, pa ushqim, pa ujë, pa strehë, pa kujdes veterinar dhe vazhdimisht në rrezik prej makinave dhe kafshëve të egra.
Rikujtojmë se një i ri rreth të 20-ave nga Koreja e Jugut është dënuar me 14 muaj burg për vrasjen e 76 maceve në një nga rastet më të këqija të mizorisë së kafshëve në Korenë e Jugut në vitet e fundit. Ai u dënua për shkelje të ligjit të Koresë së Jugut për mbrojtjen e kafshëve. Gjykata e Qarkut Changwon në Korenë Juglindore nuk e identifikoi të riun.
Ai filloi të vriste mace midis dhjetorit 2022 dhe shtatorit 2023 për shkak të një urrejtjeje të thellë për kafshët që ai zhvilloi pasi macet gërvishtën makinën e tij, sipas vendimit të gjykatës. Ai kapi mace endacake, adoptoi mace nga faqet e internetit përpara se t’i mbyste për vdekje ose t’i vriste me gërshërë. Ai goditi një mace me një makinë.