PD-ja kërkon Berishën në Kuvend, debate në sallë!

vovalbania June 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
PD-ja kërkon Berishën në Kuvend, debate në sallë!

Sot në seancën plenare të drejtuar nga nënkryetarja Ermonela Felaj, deputeti demokrat Edmond Spaho i bëri thirrje drejtueseve të Kuvendit, të mos vazhdojnë me mohimin e faktit që deputeti Sali Berisha është anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, se siç tha, “precedenti që po krijojnë, me shumë mundësi do t’u kthehet në të kundërt”.

Zonja drejtuese e seancës, unë mendova se sot, ju do ta fillonit seancën me një ndjesë të thellë, të plotë, pa kushte, ndaj gjithë Grupit Parlamentar të PD-së për qëndrimet e papranueshme që keni mbajtur gjatë këtyre tre viteve, jo vetëm kryetarja e Kuvendit dhe Grupi Parlamentar i PS-së, por edhe ju personalisht. Madje po vazhdoni me të njëjtin model.

Sikurse jeni në dijeni, dje Gjykata e Apelit i dha flamurin dhe simbolet, grupit të Rithemelimit të kryesuar nga deputeti Sali Berisha. Automatikisht, me publikimin e vendimit dje, në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, ju sot duhet të njoftoni që deputeti Sali Berisha është pjesëtar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Ju duhet të na kërkoni ndjesë për çfarë keni bërë gjatë këtyre tre vjetëve duke shkelur Kushtetutën, ligjet, rregulloren e Kuvendit.  Jo vetëm që nuk e bëtë këtë, por mendoj, për turpin tuaj, nuk guxuat as t’i lexoni emrin në kërkesën që kemi bërë për interpelancë me Kryeministrin.

Nuk jeni ju që përcaktoni është apo s’është deputet i këtij parlamenti, zoti Sali Berisha. Atë e ka përcaktuar vullneti i qytetarëve shqiptarë, që e kanë votuar dhe ju nuk ia hiqni dot.

Kuvendi e rrëzoi kërkesën për interpelancë të Sali Berishës me shefin e qeverisë Edi Rama. Deputetja demokrate, Albana Vokshi tha se “maxhoranca tmerrohet nga Sali Berisha”.

Albana Vokshi: Emri i Sali Berishës ju tmerron. Cili është ai vendim gjykate që ia ndalon të ushtrojë të drejtën e deputetit?

Ermonela Felaj: Nuk ia ka dhënë gjykata të drejtën zotërisë në fjalë. Dihet botërisht se Berishës i është ndaluar pjesëmarrja në parlament me vendim gjykate. Nuk vendos Kuvendi dhe nuk vendosni as ju. Kjo intereplancë paraqet çështje që nuk janë në përgjegjësi të këshillit të ministrave. Cënojnë nderin, jetën private apo personalitetin e një individi apo institucioni.

Më herët, Gazment Bardhi kërkoi futjen në rend dite të interpelancës së kërkuar nga 7 deputetë me kryeministrin Rama për abuzim me fondet publike.

Një grup deputetësh të PD-së kanë paraqitur kërkesë për interpelancë urgjente mbi përdorimin e fondeve publike nga familjarët e tij. Nëse kërkesa firmoset nga 7 deputetë, duhet që të hyjë në seancë dhe atë kërkesë, ju e cilësuar si një “cënim të nderit dhe të dinjitetit të kryeministrit”. Po, të mos i japë tendera familjarëve dhe të mos bëjë tendera sekret! Rama mund t’i fshihet Kuvendit, por drejtësisë dhe llogaridhënies nuk mund t’i fshihet dot për shumë gjatë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE