I ati në listën e zezë nga SHBA për korrupsion, djali i politikanit shqiptar merr licencë për hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore!

vovalbania June 13, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
I ati në listën e zezë nga SHBA për korrupsion, djali i politikanit shqiptar merr licencë për hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore!

Universiteti Ndërkombëtar i Strugës në Maqedoninë e Veriut, i cili është pjesërisht në pronësi të djalit të kryetarit të kësaj komune, Ramiz Merko, Genc Merko ka marrë licencën për hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinion pasi bëhet fjalë për persona të përfshirë në listën e zezë amerikane, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

Vendimi i është dhënë nga ministri i Arsimit në largim, Jeton Shaqiri, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili para se të emërohej në këtë post ka qenë profesor në Universitetin e Strugës.

Vendimin e ka nënshkruar kryeministri teknik nga BDI-ja, Talat Xhaferi ndërsa është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 prill të këtij viti gjatë fushatës parazgjedhore.

Në të thuhet se “ky fakultet ofron dy programe studimi: Studimet e Infermierisë së Përgjithshme dhe Studimet e Kujdesit Shëndetësor, nga cikli i parë i studimeve profesionale”.

Studimet në këtë drejtim sipas vendimit të publikuar në gazetën zyrtare, do të zhvillohen në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Informacioni për licencën e re për hapjen e fakultetit vjen në prag të formimit të qeverisë së re, që do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe Lëvizja ZNAM.

Nga Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë thonë se procedura për akreditimin e programeve të studimit është duke u zhvilluar dhe më pas ky institucion i arsimit të lartë do të mund të fillojë punën.

Koalicioni i partive shqiptare VLEN që do të jetë pjesë e qeverisë së re, përmes një komunikate me shkrim thotë se ky universitet njihet për “prodhimin” e diplomave të urgjencës, ku siç pretendojnë, “ndër vite dhe brenda natës, kanë diplomuar më shumë se gjysma e zyrtarëve të BDI-së”.

“Ky universitet i njohur si “Universiteti i Merkos”, i cili udhëhiqet nga Armend Kadriovski, njihet për ‘prodhimin’ e diplomave, si një universitet ku me kalimin e viteve, brenda një nate, diplomuan më shumë se gjysma e zyrtarëve të BDI-së si dhe shumë anëtarë të familjeve të zyrtarëve të cilët më pas u punësuan në institucione të ndryshme”, thuhet në njoftimin e VLEN.

Ky universitet ka qenë i njohur edhe nga reagimet në Shqipëri ku pretendohej se “shumë zyrtarë shqiptar janë pajisur me diploma dhe tituj shkencor në Universitetin e Strugës”.

Nga koalicioni VLEN paralajmërojnë se pas formimit të qeverisë së re do t’i hetojnë të gjitha rastet e “shitjes së diplomave dhe funksionimin e universitetit”.

Në qershor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën Ramiz Merkon në “listën e zezë” të personave të cilëve u ndalohet hyrja në ShBA.

“Merko shpërdoroi fondet dhe ndërhyri në proceset gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut”, është thënë në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, më 20 qershor 2023.

Sanksioni vlen edhe për gruan e Merkos, Shpresa, dhe tre fëmijët e tij të rritur, Gencin, Nazmijen dhe Drenushën.

Familja e ngushtë e Merkos konsiderohet e “papërshtatshme” për hyrje në SHBA.

Prokuroria Themelore në Strugë dhe në Shkup, në mars të këtij viti ka ngritur dy akuza kundër Merkos.

E para për punë joadekuake në ushtrimin e detyrës dhe e dyta për blerje të makinës së firmës “Audi A6”.

Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit më 29 shkurt në Gjykatën Penale të Shkupit ka dorëzuar akuzën për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Sipas saj, nëse Ramiz Merko shpallet fajtor, mund përballet me një dënim maksimal prej 5 vitesh burgim.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65795 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE