Kryeprokurori amerikan Garland në mospërfillje të Kongresit!

vovalbania June 13, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kryeprokurori amerikan Garland në mospërfillje të Kongresit!

Në SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve votoi duke përcaktuar se Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland ka shpërfillur Kongresin duke mos dorëzuar një regjistrim zanor të intervistës së presidentit Joe Biden, për çështjen e dokumentave të klasifikuara. Ky është hapi më i fortë dhe më i fundit i ndërmarrë nga ligjvënësit republikanë ndaj Departamentit të Drejtësisë, ndërsa debati partiak në lidhje me çështjet e funksionimit të shtetit ligjor mbizotëron zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Votimi 216 pro dhe 207 kundër u bë përgjithësisht sipas linjave partiake, ndërsa ligjvënësit republikanë e mbështetën iniciativën megjithë rezervat e shprehura më herët nga disa prej tyre. Vetëm një republikan votoi kundër, ligjvënësi David Joyce nga shteti Ohajo.

Garland bëri një deklaratë duke u shprehur se “është thellësisht zhgënjyese që Dhoma e Përfaqësuesve e ka shndërruar një autoritet serioz të Kongresit në një mjet politik. Votimi neglizhon ndarjen e pushteteve, Departamenti i Drejtësisë duhet të mbrojë hetuesit e tij, si dhe sasinë e madhe të informacionit që u kemi dhënë komisioneve të Kongresit”.

Ai shtoi se do ta ngrejë gjithnjë zërin “në mbrojtje të Departamentit, punonjësve dhe misionit jetik në mbrojtje të demokracisë. Garland bëhet kështu prokurori i tretë i përgjithshëm që shpallet në mospërfillje të Kongresit.

Por, ka shumë pak gjasa që ndaj tij të ngrihen akuza nga Departamenti i Drejtësisë, të cilin e drejton. Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të përdorur imunitetin e ekzekutivit për të mos dorëzuar regjistrimin zanor në Kongres do ta bënte shumë të vështirë ngritjen e një çështjeje penale ndaj Garlandit.

Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson e mbrojti vendimin për të vazhduar me votimin që tashmë duket më shumë si një masë simbolike.

Ne e bëmë punën tonë për ta shpallur në mospërfillje të Kongresit dhe mendoj se kjo dërgon një mesazh të rëndësishëm, tha kryetari Johnson. Do të shohim se çdo të ndodhë në vazhdim, por Dhoma e Përfaqësuesve duhet të bëjë punën e saj dhe jam i kënaqur me rezultatin.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë kanë kritikuar motivimin e republikanëve për të ndjekur këtë procedurë dhe i kanë hedhur poshtë si thjesht politike përpjekjet për të marrë regjistrimin zanor të bisedës së presidentit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE