Investimet shqiptare jashtë vendit, në nivele të larta edhe për tremujorin I të vitit!

vovalbania June 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Investimet shqiptare jashtë vendit, në nivele të larta edhe për tremujorin I të vitit!

Investimet shqiptare jashtë vendit shënuan nivele të larta edhe në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 52 milion euro, një milion më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është vlera më e lartë e investimeve shqiptare jashtë vendit për tremujorin e parë të vitit, që prej vitit 2008.

Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. Këto injektime kapitali përbënin më shumë se 69% të fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit. Pjesa tjetër, kryesisht konsiston në fitime të riinvestuara të kompanive me aktivitet jashtë vendit.

Në vitet e fundit, investimet e huaja direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, por, nga ana tjetër, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit. Sidoqoftë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për 3-mujorin e parë të vitit ishte negativ, për një vlerë të përgjithshme prej 302 milion eurosh, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bilanci negativ në llogarinë e investimeve të huaja nënkupton se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri ngelen shumë më të larta krahasuar me investimet shqiptare jashtë vendit. Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit nuk detajohen për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale.

Për këtë arsye, ende nuk ekziston një “hartë” e mirëfilltë e investimeve shqiptare jashtë apo se në cilat prej vendeve ose sektorëve po përqendrohet rritja në vitet e fundit.

Megjithatë, është fakt se disa prej grupeve më të rëndësishme shqiptare të biznesit, prej vitesh janë të vendosura jashtë vendit. Në vitet e fundit, kjo prani duket se po zgjerohet, edhe si pjesë strategjisë së diversifikimit të biznesit.

Disa prej grupeve të rëndësishme të biznesit në vend kanë vendosur prani në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Austri, Zvicër, Kroaci apo SHBA, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme e në shërbimet financiare.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve tona jashtë.

Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 371 milion eurove. Me këtë shifër, deri tani, Shqipëria është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë.

Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për 3-mujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 21.7 milion eurove, në rritje me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE