Konstituohet Komisioni Antikorrupsion/Xhafaj-opozitës: Mos bëni gabimin e 2014-ës!

vovalbania June 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Konstituohet Komisioni Antikorrupsion/Xhafaj-opozitës: Mos bëni gabimin e 2014-ës!

Pa pjesëmarrjen e opozitës, konstituohet Komisioni Antikorrupsion, nën drejtimin e socialistit Fatmir Xhafaj, i cili teksa theksoi rolin e saj si tejet të rëndësishëm, sidomos pjesëmarrjen, në qëllimet që do të afresojë reforma. “I keqardhur që opozita nuk iu përgjigj ftesës për bashkëpunim, detyrimit të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit”, – tha Xhafaj. Ndërkaq, apeloi të mos bëjë gabimin e 2014-ës kur siç nënvizoi, bojkotoi komisionin për Reformën në Drejtësi.

Vendimi i Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni të posaçëm parlamentar ishte i qartë. Përgjegjësia jonë është e qartë, ne duhet të adresojmë disa sfida të rëndësishme në interes të qytetarëve dhe në funksion të integrimit në BE dhe me synimin për ta pasur Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në Union.

Ky duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës në rrafshin politik, institucional dhe social. Në këtë kontekst, roli i opozitës është tejet i rëndësishëm. Pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi për qëllimin që do të adresojë kjo reformë. Jam i keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë komision.

Për fat të keq, kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në vitin 2014 komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi. Edhe asokohe, opozita, në vitin 2014, edhe pse kishte votuar ngritjen e atij komisioni, nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe të konstituimit të komisionit. Mungoi edhe në disa mbledhje në vijim, por më pas mori pjesë. Koha tregoi se opozita gaboi, shpresoj që kjo gjë të mos përsëritet dhe uroj që ta kemi sa më shpejt opozitën mes nesh.

Në zbatim të detyrimeve që vijnë nga Kushtetuta dhe vendimet e Kuvendit, procesi do të duhet të ecë përpara, duke qenë gjithëpërfshirës, transparent, institucional, me përfshirjen e të gjithë aktorëve e faktorëve, duke përfshirë biznesin, botën akademike, grupet e interesit, siç ndodhi me Reformën në Drejtësi.

Kjo mbledhje është hapi i parë i natyrës formale, përgatitore, si mbledhje detyruese për ne. Unë besoj fort se kur ne të marrim vendimet e para, të ecim me hapat e parë, do t’ju japim përgjigjen e duhur, të gjithëve atyre që kanë spekuluar me apo pa qëllim, me dashje apo pa dashje, lidhur me qëllimin e këtij komisioni. Deri atëherë do të duhet të punojmë fort, shumë fort dhe të ecim përpara.

Me 74 vota pro e 6 kundër, më 30 maj, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Ky komision synon thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Europian dhe raportit Screening të Komisionit Europian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore e institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE