Me paralajmërim të fortë për Kinën, u mbyll takimi i nivelit të lartë i G7-ës!

vovalbania June 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Me paralajmërim të fortë për Kinën, u mbyll takimi i nivelit të lartë i G7-ës!

Drejtuesit e vendeve të Grupit të Shtatëshes përfunduan takimin e nivelit të lartë me paralajmërimin më të fortë të bërë deri më tani Kinës, duke deklaruar se mbështetja nga Pekini për bazën e industrisë ushtarake të Moskës “po i mundëson Rusisë të vazhdojë me luftën e saj të paligjshme në Ukrainë”.

Udhëheqësit e G7-ës ranë dakord edhe me propozimin e presidentit amerikan, Joe Biden për t’i ofruar Kievit dhjetëra miliarda dollarë kredi, që do të shlyhen nga interesat e krijuara nga pasuritë e ngrira të Rusisë e që gjenden në institucionet financiare perëndimore. Kryeministrja italiane, njëkohësisht organizatore e takimit të nivelit të lartë, Giorgia Meloni, tha:

Kemi arritur një marrëveshje politike për të ofruar 50 miliardë dollarë mbështetje të mëtejshme financiare për Ukrainën deri në fund të vitit.

Liderët e vendeve demokratike më të pasura të botës thanë se janë “të angazhuar për t’ia shtuar Rusisë kostot e luftës”, duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj atyre që ndihmojnë Moskën në shmangien e sanksioneve aktuale.

Paralajmërimi ndaj Kinës gjendet në deklaratën e përbashkët e që përmban gjuhën më të fortë të përdorur deri më tani ndaj Pekinit, duke reflektuar kështu zhgënjimin e presidentit Biden me rolin që po luan Kina në fuqizimin e makinerisë së luftës së Rusisë.

Pekini po i ofron Rusisë teknologjinë për të prodhuar armë, pra, po ndihmon Rusinë në fakt.

Udhëheqësit e G7-ës vunë në dukje rrezikun që paraqet Kina për sigurinë e ekonomisë globale, përfshirë mbiprodhimin e makinave elektrike e praktikat e tregtisë dhe investimeve në vendet në zhvillim.

Tre ditë më parë, Bashkimi Europian njoftoi rritje të tarifave deri në 38% për importet e automjeteve elektrike kineze, mes hetimeve nëse prodhuesit kinezë të automjeteve po mbingarkojnë tregjet europiane me automjete elektrike më pak të shtrenjta, të subvencionuara nga qeveria.

Pekini tha se “do të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij, por nuk iu kundërpërgjigj Bashkimit Europian. Ndërkaq, në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës katërfishuan tarifat për automjetet elektrike kineze dhe vendosën rritje të mëdha për disa produkte të çelikut e aluminit kinez, panelet diellore dhe gjysmëpërçuesit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE