Policia e Kosovës konfiskon arsenal armësh në veri!
Policia e Kosovës konfiskoi 30 armë gjatë një operacioni në Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe e që sipas saj, lidhen me dy pjesëtarë të grupit që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në fshatin Banjskë, ku u vranë një oficer i policisë dhe tre sulmues të armatosur.
Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në, kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile e të grupit terrorist të Banjskës.
I pari gjendet në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve dhe lidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviç, ndërsa lokacioni tjetër, në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës e ka të bëjë me subjektin në kërkim, Zharko Cvetkoviç.
Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.
Ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.
Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.
Ndërsa në lokacionin e katërt janë gjetur iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, një uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë dhe adapter për radiolidhje.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi e në një postim në Facebook u shpreh se “kapja e armëve, eksplozivëve e municionit në veri po bëhet falë vigjilencës së shtuar të institucioneve të Kosovës dhe vendosmërisë për asgjësimin e elementëve kriminalë e tendencës destabilizuese që vjen nga Serbia”.
Bashkërendimi mes institucioneve të sigurisë dhe rritja gjithnjë e më shumë e bashkëpunimit me qytetarët në veri të vendit është garanci e mos ndalimit në betejën tonë për shtet të së drejtës ku rendi dhe ligji mbizotërojnë mbi krimin e terrorizmin.