Gaza, Netanyahu kundër ndalimit të luftimeve gjatë ditës!

vovalbania June 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gaza, Netanyahu kundër ndalimit të luftimeve gjatë ditës!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kritikoi planet e shpallura dje nga ushtria izraelite se do të ndalojë luftimet gjatë orëve të ditës përgjatë një rruge në Gazën jugore, për të mundësuar hyrjen e një sasie të madhe të ndihmave humanitare për palestinezët. Ushtria tha se pauza që fillon në orën 08:00 të mëngjesit do të jetë në fuqi deri në orën 19:00 duke u zbatuar çdo ditë, deri në një njoftim tjetër.

Kur kryeministri dëgjoi njoftimet për një pauzë humanitare prej 11-orëshe, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të, tha një zyrtar izraelit.

Ushtria saktësoi se operacionet normale do të vazhdojnë në qytetin Rafah, objektiv kryesor i operacionit të saj në jug të Gazës, ku të shtunën mbetën të vrarë tetë ushtarë izraelitë. Reagimi i kryeministrit Netanyahu nxjerr në pah tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që hyjnë Gazë, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të Netanyahut e kundërshtoi idenë e një pauze taktike, duke thënë se kushdo që e vendosi ishte një “i marrë” që duhet të pushohet nga puna.

“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria, e cila zbatohet në një hapësirë prej rreth 12 kilometrash në zonën e Rafahut është shumë larg nga një armëpushim i plotë në territorin e rrethuar, që është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Nëse qëndron, ndalimi i kufizuar i luftimeve mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të mëdha të palestinezëve, të cilat janë shtuar edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.

Pauza synon të lejojë kamionët e ndihmave të shkojnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, hyrja kryesore për ndihmën dhe të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, siç raportoi ushtria. Vendkalimi është përballur me bllokadë që kur trupat tokësore izraelite u zhvendosën në Rafah, në fillim të muajit maj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE