Izrael, Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës!
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mori vendim dhe sot ka shpërndarë kabinetin e tij të luftës me gjashtë anëtarë. Lajmin e bën të ditur një burim zyrtar. Në fakt, një vendim i tillë ishte pritur, pas largimit të gjeneralit Benny Gantz nga kabineti në fjalë.
Tani, Netanyahut do t’i duhet të konsultohet për luftën në Gaza me një grup të vogël ministrash, përfshirë atë të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe ministrin për Çështje Strategjike, Ron Dermer, i cili ka qenë në kabinetin e luftës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu është përballur me kërkesa të shumta të partnerëve nacionalistë-fetarë të koalicionit të tij, përfshirë ato nga ministri i Financave, Bezalel Smotric dhe ministri për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që të përfshihen në kabinetin e luftës. Por, një hap i tillë është konsideruar si shtysë për rritjen e tensioneve me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kabineti i luftës është formuar pasi Gantz iu bashkuaNentahyahut në Qeverinë e Unitetit Kombëtar, pas fillimit të luftës në Gaza, në tetor të vitit të kaluar. Në të kanë marrë pjesë edhe partnerë të Gantzit, si Gadi Eisenkot dhe Aryeh Deri.
Gantz dhe Eisenkot janë larguar prej qeverisë javën e kaluar, me arsyetimin se Netanyahu ka dështuar që të formojë një strategji për luftën në Gaza. Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, vijon prej datës 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Më pas, Izraeli ka nisur ofensivën në Gaza, me qëllimin që të shkatërrojë grupin. Si pasojë e kësaj ofensive izraelite, janë vrarë më shumë se 37 mijë palestinezë, shumica e tyre gra dhe fëmijë sipas shifrave që japin autoritetet shëndetësore palestineze të drejtuara nga Hamasi.