Më shpejt drejt BE/ Qeveria publikon draftin e reformave në 5 fusha kryesore deri në vitin 2027!
Qeveria do të ndërmarrë disa reforma thelbësore në mënyrë që të përfitojë më shumë nga Plani i Ri i Rritjes shpallur nga Komisioni Evropian dhe që ekonomia të konvergjojë më shpejt drejt atyre të unionit.
Në dokumentin e hedhur për konsultim publik qeveria synon që deri në 2027-tën të ketë përmirësime të ndjeshme në pesë shtylla kryesore që përfshijnë përmirësimin e klimës së biznesit, përforcimin e kapitalit njerëzor, fokusin drejt tranzicionit të gjelbër, tranzicionin digjital si dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Për përmirësimin e klimës së biznesit, qeveria premton hapa thelbësore nga rritja e të ardhurave buxhetore deri tek intensifimi i luftës ndaj pasurive të pajustifikuara. Prioritet kryesor ka dhe çështja e pronës, ku do të krijohet regjistri i pasurive të paluajtshme, ndërsa në 2026-tën pritet të hyjë në fuqi taksa e re. Kadastra digjitale do të jetë në qendër të reformës së pronave.
Sa i përket kapitalit njerëzor, një punë e madhe do bëhet me qëllim përshtatjen e kurrikulave që nxënësit e arsimit të mesëm të jenë më të përshtatshëm për tregun e punës.
Ndërkohë në transformimin digjital të vendit një nga reformat më të rëndësishme do të përfshijë kartat elektronike të identitetit që do të lidhen me shërbimet digjitale publike. Në fushën e tranzicionit të gjelbër pritet që të bëhet rutinë miratimi i një plani për ankandet e reja të parqeve fotovoltaike me madhësi 600 MË.
Qeveria synon gjithashtu që deri vitin e ardhshëm të liberalizojë plotësisht çmimet në tregun e energjisë elektrike, që do të prekte edhe konsumatorët fundorë, që aktualisht kanë çmim të subvencionuar.
Ndërkohë për shtetin e së drejtës fokusi është te ripërdorimi i pasurive të sekuestruara dhe përmirësimin e metodave për hetimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë me prioritet është edhe ulja e stokut të dosjeve në Gjykata nga 30 – 35%.