‘Hitler and the Nazis, Evil on Trial’ është një këmbanë alarmi për ata që kanë vesh dhe duan ti përdorin. Kritikë.

vovalbania June 18, 2024 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
‘Hitler and the Nazis, Evil on Trial’ është një këmbanë alarmi për ata që kanë vesh dhe duan ti përdorin. Kritikë.

Historia është një rreth vicioz, ka tendencën të përsërisë veten. Sado të rënda të kenë qënë gabimet që njerëzimi ka bërë në të shkuarën, mësimet e nxjerra prej tyre, me kohën sfumohen. E ndërsa  futemi në 100 vjetorin e hyrjes në skenë të një prej liderve më famkeq në historinë moderne të njerëzimit – Adolf Hitler, udhëheqësi i gjermanisë naziste, përgjegjës së bashku me të tijët për më shumë se 12 milion jetë të marra në mënyrë çnjerëzore, gati industriale gjatë Luftës së Dytë Botërore, ‘Netflix’ sjell për shikuesin ‘Hitler and the Nazis, Evil on Trial’/‘Hitleri dhe Nazistët, Gjyqi për të Keqen’, në kohën kur grupet Naziste kanë ri-filluar të marrim frymë në SHBA dhe europën perendimore, në kohën kur Rusia është në një luftë të hapur me Ukrainën dhe po ashtu një tjetër konflikt mes Izraelit e Palestinës në anën tjetër të botës po merr çdo ditë jetën e qindra njerzve, si për t’i rënë kambanave për ata që kanë vesh dhe që duan ti përdorin.

“Hitleri nuk u bë brenda ditës, Gjermania Naziste gjithashtu. Zhvillimet ndodhin shumë ngadalë, ato zhvillime që të çojnë në katastrofa si ajo e Holokaustit, ndaj duhet të jemi shumë vigjilent, për çdo gjë që ndodh rreth nesh. E mbi të gjitha të mos rrimë pa bërë gjë!”

–        thotë mbesa e William L. Shirer duke folur për dokumentarin, për atë që ajo e konsideron mësimin më të vyer, që gjyshi i saj, gazetari amerikan i cili ishte ndër të parët që raportoi dhe dëshmoi për horroret që kishte parë në Gjermaninë e atyre viteve kur shërbente si korrespodent i CBS News në Berlin dhe pjesë të tjera të Europës.

Ndërsa në amerikën e 2024 janë përballë një President që shpesh nuk gjen rrugën dhe një tjetër që erdhi herën e parë në pushtet me një faqe nga libri i Hitler – ‘Mein Kampf’ (të cilin diktatori e shkroi kur ishte duke kryer dënimin për puç-in kundër shtetit) – Make America Great Again / Making Germany Great Again, (ta bëjmë amerikën madhështore sërish) dokumentari edhe duke mos i përmendur asnjëherë këta të dy, apo të tjerë lider aktual botëror duket sikur i bie derës që të dëgjojë dritarja.

Me regji të një veterani dokumentarësh – Joe Berlinger (‘Paradise Lost’, ‘Metallica: Some Kind Of Monster’) pas sukseseve të marrëveshjes që ka me Netflix – ‘Jeffrey Epstein: Filthy Rich’ dhe ‘Conversations With a Killer’ – sjell 6 episode (mbi 6 orë material) që i bëjnë një skaner të gjitha zhvillimeve të liderit nazist që nga koha kur ai ishte një artist i dështuar rrugëve të Vjenës deri në momentet e tij të fundit, kur vrau veten bashkë me shoqen e jetës – Eva Braun në bunkerin ku qëndronte në muajt e fundit të luftës.

Dokumentari nis me video dhe audio të marra nga gjyqi ushtarak i Nurembergut ku disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Hitlerit u nxorrën përpara një tribunali ndërkombëtar për t’u gjykuar për krimet e tyre makabre, një gjyq që do të zgjaste për një vit e do të përballte opinionin publik me disa të vërteta më shumë se të hidhura. [makina e propagandës naziste e kishte manipuluar të vërtetën për vite të tëra].

“Është tamam koha për të [ri]treguar edhe një herë historinë, për brezat e rinj të cilët nuk kanë të gjithë informacionin e duhur për të marrë vendimet e duhura, duke e ulur rëndësinë e ngjarjeve fatale të Luftës së Dytë Botërore, sepse i duken si legjende urbane. Në një kohë kur edhe në vendet më demokratike si SHBA-të, totalitarizmi, antisemitizmi janë në rritje, demokracia në vetvete është në një udhëkryq, nuk mund të mos ti kthehemi leksioneve të së shkuarës për të mos gabuar njësoj, në mos më keq. Është gjithashtu e pamundur të bësh një dokumentar për Gjermaninë e viteve ‘30-‘40 pa të ardhur në mendje amerika e viteve 2010-2020.”

–        ka thënë regjisori Berlinger duke folur për kalimin kësaj here në zhanrin e dokumentarëve historikë.

Sigurisht, për ata që historinë e njohin, dokumentari nuk ka asgjë të re, nëse nuk do të quanim të re restaurimin e videove dhe audiove të kohës, për herë të parë disa prej tyre i shohim me ngjyra. Faktet janë ato dhe vazhdojnë të jenë aq kokëforta sa në 1945 kur u prezantuan për herë të parë për opinionin e gjërë.

Një risi e përdorur nga Berlinger është se narratori është William L. Shirer, i cili përmes teknolgjisë së inteligjencës artificiale, rikthehet nga bota e përtejme (Shirer u nda nga jeta në 1993) për të rrëfyer ngjarjet në vetë të parë, bazuar në ditaret e tij shumë specifike, raportimet për CBS, si edhe librat që Shirer shkroi për ngjarjet, një pjesë të së cilave i jetoi si dëshmitar okular. Berlinger gjithashtu ka rikrijuar disa nga skenat e atyre viteve – kryesisht ajo e gjyqit të Nurembergut është më e arrira; me lëvizjet e kameras që të çojnë shpesh në pamjet reale dhe ato të ekranizuara, ngadonjëherë duhet të kesh kujdes mos ngatërrosh Herman Goering e vërtetë me Herman Goering  aktorin (Gabor Sotonyi).

Berlinger, si fans i sensacionalizimit, kur tregon një histori, ka përdorur të njëjtin efekt dramatik edhe në intervistat e historianëve që flasin për ngjarjet – xhiruar në atë që duket një teater gjerman i kohës, me ca perde të kuqe dhe dritë-hije të forta.

Do gaboja po të shkruaj se regjisori është treguar i ftohtë në tregimin e ngjarjes. Ky ngelet një dokumentar, por thelbi i tij është Hitleri – çdo gjë tjetër është kaluar shkarazi duke u munduar t’i bëhet një diseksion vetëm dhe absolutisht, mëndjes së këtij njeriu që ndryshoi botën një herë e përgjithmonë.

Qëllimi kryesor i Berlinger është për të treguar se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë – duhet një grup njerëzish [që mendojnë njësoj si ai, i binden vetëm atij] që marrëzia të ndodhë. Dhe nëse ky njeri di të shesë sapunin për djathë më mirë se vetë shitësit e sapunit apo djathit, di të luajë me emocionet e njerzve të hapur për t’u manipuluar, më e keqja mund të ndodhë. Adolf Hitler ishte një njeri që kërkonte bindje totale, kishte një mungesë absolute empatie, një shkëputje nga e vërteta, por po aq kishte një aftësi për të bindur njerëzit të besonin në të vërtetat e tij, njerëz që e besuan aq fort, deri në fund. Mbase pa e ditur se ku do ti çonte e gjitha kjo..

Por Adolf Hitler nuk ishte i vetmi, as në kohën e tij, as në kohët pas tij. ‘Evil on Trial’ fton shikuesin të mos pranojë të vërtetën e askujt nga ata që drejtojnë shtete (ose ofrohen për t’i drejtuar) pa e hetuar, pa e dyshuar. Edhe sikur kjo të jetë e vështirë për t’u bërë, do ishte e nevojshme për të shmangur sadopak rrethin vicioz të destinit.

‘Hitler and the Nazis, Evil on Trial’ është në Netflix.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64121 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE