Koreja e Veriut me “mbështetje të plotë” për Rusinë në Ukrainë!

vovalbania June 19, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Veriut me “mbështetje të plotë” për Rusinë në Ukrainë!

Në Phenian ku sot takoi homologun rus Vladimir Putin, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un premtoi mbështetje të plotë për luftën e Rusisë në Ukrainë. Takimi mes dy udhëheqësve synon zgjerimin e bashkëpunimit të shtetit të tyre në fushën e ekonomisë dhe atë ushtarake e shfaq një front të bashkuar kundër Uashingtonit.

Putin falënderoi Kimin për mbështetjen e tha se dy shtetet do të nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit teksa këto dy vende “luftojnë kundër politikave imperialiste hegjemonie të Shteteve të Bashkuara e satelitëve të tyre kundër Federatës Ruse”.

Vizita e Putinit në Korenë e Veriut po realizohet në kohën kur janë rritur shqetësimet për një marrëveshje të armëve, përmes së cilës Koreja e Veriut i ofron Rusisë municionet që i duhen për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë. Kji në këmbim të ndihmës ekonomike dhe kalimeve të teknologjisë që mund të rrisin kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore dhe i raketave të Phenianit.

Sipas mediave ruse, TASS dhe RIA Novosti, Putin tha se “një dokument i ri thelbësor do të krijojë bazën për lidhjet tona në terma afatgjatë”.

Koreja e Veriut është nën sanksione të ashpra ekonomike të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të raketave dhe armëve bërthamore të Phenianit. Po ashtu, Rusia po përballet me sanksione që ka vendosur Uashingtoni dhe partnerët e tij perëndimorë për shkak të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.

Kim tha edhe se raportet mes Moskës dhe Phenianit janë në një nivel të ri më të lartë, përtej raporteve që shtetet kanë pasur gjatë kohës sovjetike. Lideri koreano-verior shtoi se shpreson që “miqësia mes dy shteteve do të bëhet më monolitike”, siç raportuan agjencitë shtetërore të lajmeve në Rusi.

Putin, i cili po realizon vizitën e parë në Korenë e Veriut në 24 vjet, falënderoi këtë shtet për “mbështetjen e pandryshueshme ndaj politikave ruse, përfshirë në drejtimin ukrainas”.

Sipas mediave ruse, Kim citohet të ketë thënë se shteti i tij “mbështet plotësisht e është në solidaritet me qeverinë ruse, ushtrinë dhe popullin që po kryen ‘operacionin e posaçëm ushtarak’ në Ukrainë për të mbrojtur sovranitetin, interesat e sigurisë dhe integritetin territorial”.

Megjithatë, ende është e paqartë si mund të duhet mbështetje e Koresë së Veriut për Rusinë. Po ashtu, ai lëvdoi “rolin e rëndësishëm [të Rusisë] dhe misionin për të ruajtur stabilitetin strategjik e balancën në botë”.

Situata në botë po përkeqësohet dhe po ndryshon me shpejtësi. Në këtë situatë ne synojmë të forcojmë ndërveprimin strategjik me Rusinë.

Para takimit, Kim priti Putinin në një ceremon në sheshin kryesor të Phenianit, teksa turma të mëdha njerëzish dolën në rrugë për të mirëpritur Putinin, duke valëvitur flamuj të të dyja shteteve. Në këtë vizitë, Putin po shoqërohet nga disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë zëvendëskryeministrin Denis Mantrurov, ministrin e Mbrojtjes, Andrei Belousov dhe atë të Jashtëm, Sergey Lavrov.

Zyrtarët e SHBA-ve dhe Koresë së Jugut kanë akuzuar Veriun se po i ofron Rusisë artileri, raketa e pajisje të tjera ushtarake që Moska t’i përdorë në Ukrainë, në këmbim të ofrimit të teknologjisë ushtarake. Si Pheniani, ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat. Transferta të tilla të armëve do të përbënin shkelje të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat Rusia i ka mbështetur më herët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE