Kryediplomati Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës!

vovalbania June 19, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kryediplomati Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës!

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur akses në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli e në raportin e tij thuhet:

Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë.

Rreth një javë më parë, zv.kryeministri Besnik Bislimi tha se raporti i kryediplomatit  europian, Josep Borrell për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së “do të rekomandojë heqjen e masave” ndëshkuese për Kosovën. Borrellit iu kërkua një raport i tillë nga vendet anëtare, në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që vendit t’i hiqen masat ndëshkuese.

Duke raportuar para Komisionit për Integrime Europiane në Prishtinë, Bislimi theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por pati hezitime” për dorëzimin e tij.

Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën. Raporti është dashur të dorëzohet pardje (11 qershor), mirëpo një pjesë e komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme (17-23 qershor). Përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur në ndërtesat e komunave, Prishtina dërgoi kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Ndër masat e BE-së është pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova nuk po merr ftesë në aktivitetet e nivelit të lartë dhe vizitat janë pezulluar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu është pezulluar programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024-ës (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës përfitojnë momentalisht janë të ndalura.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE