Miratohet “Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike”/Masat deri më 2030-ën!

vovalbania June 19, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Miratohet “Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike”/Masat deri më 2030-ën!

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u miratua “Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike”. Dokumenti iu nënshtrua procesit të konsultimit publik nga Ministria e Financave, duke nisur nga fillimi i muajit prill. Eshtë fjala për strategjinë e tretë me në fokus marrjen e masave në funksion të forcimit të mëtejshëm të Financave Publike, dokument i dakordësuar me Bashkimin Europian, edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bllok.

Qeveria angazhohet në zbatimin e këtyre masave deri në vitin 2030. Ato janë të kategorizuara në gjashtë shtylla kryesore, të cilat kanë të bëjnë me programimin makroekonomik dhe monitorimin e riskut, planifikimin e integruar strategjik e buxhetor, menaxhimin dhe mobilizimin e të ardhurave, kontabilitetin dhe menaxhimin e zbatimit të buxhetit, kontrollin e brendshëm financiar publik, si edhe mbikëqyrjen e jashtme.

Sa i përket shtyllës së parë, disa nga objektivat kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për zhvillimin e monitorimin e një politike të shëndoshë fiskale, realizimin e parashikimeve të avancuara makroekonomike, si edhe ndërmarrjen e praktikave sa më të qëndrueshme sa i përket menaxhimit të riskut fiskal.

Në lidhje me planifikimin e integruar dhe monitorimin e raportimin transparent, strategjia ka si objektiva përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe praktikave të planifikimit strategjik të integruar e planifikimin buxhetor afatmesëm në të gjitha nivelet e qeverisjes, rritjen e monitorimit dhe raportimit transparent, si edhe një përfshirje edhe më të gjerë të publikut në proceset buxhetore.

Referuar të ardhurave, synohet rritja e mobilizimit të tyre përmes zhvillimit dhe zbatimit të politikave të avancuara tatimore, përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve të menaxhimit të taksave, si edhe modernizimi i sistemeve të menaxhimit të riskut të administratës doganore, në përputhje edhe me kërkesat e BE-së.

Një tjetër objektiv, i lënë edhe nga FMN-ja, i kërkuar tashmë edhe nga BE-ja është miratimi dhe zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, me fokus rritjen e mirëadministrimit, shmangien e evazionit e thellimin e luftës ndaj informalitetit.

Në shtyllën e katërt, reformat që synohet të ndërmerren synojnë forcimin e praktikave të menaxhimit të zbatimit të buxhetit, duke përfshirë përmirësimin dhe rritjen e përdorimit të Sistemit Informativ Financiar Qeveritar (SIFQ), zbatimin e reformave të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik, si edhe forcimin e raportimit të praktikave të menaxhimit të borxhit.

Ndërsa referuar kontrollit të brendshëm financiar, synohet të përmirësohen më tej sistemet për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e pranuara nga BE-ja, si edhe forcimi i mëtejshëm i sistemeve të menaxhimit financiar për të absorbuar sa më mirë mbështetjen financiare të BE-së.

Sa i përket mbikëqyrjes së jashtme, disa nga objektivat e synuara në strategji kanë të bëjnë me rritjen e kontrollit dhe mbikëqyrjen e institucioneve të tjera në drejtim të menaxhimit të financave publike, ku përfshihen Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe KLSH-ja.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE