Përjashtimi me 30 ditë i deputetëve nga Kuvendi, Kushtetuesja rrëzon nenin e votuar nga PS! Pranon disa ndryshime të mazhorancës!
Ndryshimet e Rregullores së Kuvendit nuk e kaluan plotësisht filtrin kushtetues. Pas shqyrtimit të ankimimit të grupit parlamentar demokrat gjykata arriti në konkluzionin se mënyra e zbatimit të disa masave ndëshkuese ndaj deputetëve që prishin seancat plenare ishte antikushtetuese.
Trupa e gjyqtareve vendosi që dënimi për 30 ditë të aplikohet vetëm në rastin kur deputeti dëmton pajisjet apo orenditë e sallës, por jo ne rastin kur ligjvënësi përdor dhunë ndaj kolegeve të tjerë, anëtarëve të qeverisë apo gardës për shkak se një gjë e tille është e parashikuar tek masa ndëshkuese e përjashtimit 10 ditor nga punimet e Kuvendit.
Masa disiplinore prej 60 ditësh jepet vetëm në rastet e përdorimit të tymueseve, mjeteve piroteknike, bojërave apo mjeteve të ngjashme duke shfuqizuar dy pikat e tjera të rregullores nën argumentin që ishin shumë evazive.
Deputetët që marrin masë disiplinore nuk u lejohet kalimi i pragut të Parlamentit, por gjykata kushtetuese është e mendimit që ligjvënësit nuk mund t’i ndalohet hyrja në ambientet e kryesisë apo sallës së seancave plenare nga garda e republikës duke e shfuqizuar këtë ndalesë.
Socialistët rritën pa dakortësi ndëshkimet ndaj deputetëve ne dhjetor te 2023, pas aksionit te mosbindjes civile te demokrateve te drejtuar nga Sali Berisha, të cilët për gati 5 muaj pamundësuan zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 19.06.2024, mori në shqyrtim çështjen me objekt shfuqizimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, e ndryshuar me vendimin nr. 126/2023 të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjykata mori fillimisht në shqyrtim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e dispozitave objekt kërkese. Në këtë drejtim Gjykata nuk vuri në diskutim parimin e autonomisë rregullatore të Kuvendit, duke njohur edhe të drejtën kushtetuese të këtij të fundit për të përcaktuar rregullat në kuadër të parimit të funksionalitetit të tij.
Megjithatë, duke qenë se pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, në thelb, kanë të bëjnë jo vetëm me të drejtat e deputetit si individ, por me ushtrimin e funksionit të tij si përfaqësues i popullit, Gjykata, me nismën e saj, vlerësoi ta shohë çështjen në drejtim të respektimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, sipas nenit 2 të Kushtetutës, që parashikon ushtrimin e sovranitetit të popullit përmes përfaqësuesve të tij, si dhe parimit të proporcionalitetit, në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së masave disiplinore, dhe, për këtë shkak, arriti në përfundimin, njëzëri, se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes konkrete në kuptim të ruajtjes së parimeve dhe vlerave kushtetuese, mbrojtja e të cilave është funksioni kryesor i kësaj Gjykate.
Në lidhje me themelin e çështjes Gjykata vlerësoi të shqyrtojë vetëm përmbajtjen e atyre dispozitave të kundërshtuara të Rregullores së Kuvendit, të cilat, për shkak të përmbajtjes së tyre, mund të cenonin parimin e demokracisë përfaqësuese dhe nuk përbënin rregullime të asaj natyre, të cilat mbeten brenda autonomisë rregullatore të Kuvendit.
Në përfundim, Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, duke shfuqizuar dispozitat e mëposhtme të Rregullores së Kuvendit:
Njëzëri, nenin 65/1, pika 6, shkronja “a”, me përmbajtje: “kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve”, për shkak të paqartësisë së kësaj norme, e cila mund të çojë në arbitraritet në zbatimin e saj, pasi për të njëjtat shkaqe (dhuna ndaj deputetëve) është parashikuar nga i njëjti nen edhe masa displinore me 10 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare.
Njëzëri, nenin 65/1, pika 7, shkronjat “b” dhe “c”.
Në lidhje me shkronjën “b” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje: “kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal”, Gjykata vlerësoi se ai mbart paqartësi në formulim në lidhje me dyshimin për elemente të veprës penale.
Në lidhje me shkronjën “c” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje “kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6”, Gjykata vlerësoi se masa është joproporcionale në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së saj.
Me shumicë votash, nenin 65/1, pika 9, me përmbajtje: “Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.”, pasi ai përbën një masë të re disiplinore në kontradiktë me vetë titullin e këtij neni “Masa e përjashtimit nga komisionet dhe seanca plenare”, duke parashikuar shtrirjen e masës edhe në veprimtari të tjera parlamentare, të cilat parashikohen të listuara në nenin 40 të Rregullores së Kuvendit.
Për sa u përket dispozitave të tjera të kundërshtuara nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi se ai nuk solli argumente kushtetuese në drejtim të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, ndaj vendosi rrëzimin e kërkesës për atë pjesë.