Rusia dënon me burg një ushtar të SHBA-ve/Amerikanët nën shënjestrën e Moskës!

vovalbania June 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusia dënon me burg një ushtar të SHBA-ve/Amerikanët nën shënjestrën e Moskës!

Një gjykatë në Lindjen e Largët të Rusisë dënoi një pjesëtar të ushtrisë amerikane, i cili raportohet se ka shkelur rregullat ushtarake kur udhëtoi në Rusi me të dashurën e tij ruse në muajin maj. U dënua me tre vjet e nëntë muaj burgim, me akuzat se ka sulmuar dhe kërcënuar partneren.

Ushtari 32-vjeçar, Gordon Black, u deklarua i pafajshëm për akuzat para Gjykatës në qarkun e Pervomaiskit, por pranoi se e ka goditur gruan, e identifikuar si Aleksandra Vashchuk. Black u shpreh se kur ajo ishte në gjendje të dehur e sulmoi atë dhe tentoi ta pengonte duke mos e lejuar që të largohej.

Prokurorët rusë patën kërkuar pothuajse pesë vjet heqje lirie për Black-un. Po ashtu, është urdhëruar që t’i paguajë 115 dollarë Vashchukut për një padi civile, në një tjetër proces. Avokati i ushtarit amerikan tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe do ta apelojë vendimin.

Autoritetet amerikane zbuluan se për në Rusi, ushtari amerikan udhëtoi përmes Kinës nga Koreja e Jugut ku ai ishte caktuar të shërbente para se të kthehej në shtëpinë e tij në Teksas, pa informuar eprorët. Në kohën kur Black u arrestua në fillim të muajit maj, autoritetet ruse raportuan se kanë arrestuar edhe një shtetas tjetër amerikan, të identifikuar si William Russell Nycum, me akuzat për akte huligane dhe përdorim të tepruar alkooli.

Arrestimet kanë ngritur dyshimet se autoritetet ruse po shënjestrojnë amerikanë për mundësinë që t’i përdorin në këmbimin e të burgosurve teksa Moska dhe Uashingtoni kanë përkeqësuar raportet për shkak të luftës në Ukrainë e të çështjeve të tjera të sigurisë ndërkombëtare.

Rusia ka arrestuar edhe shtetas të tjerë amerikanë që Uashingtoni insiston se po mbahen padrejtësisht në burgjet ruse, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, atë të Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe Paul Whelan. Ministria e Jashtme e Rusisë insiston se rastet e Black dhe Nycum nuk janë politike.

Në shtator, Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim që iu bën thirrje amerikanëve të shmangin udhëtimin për në Rusi. Kjo për shkak të ndalimit të qytetarëve amerikanë nga zyrtarët e sigurisë së Rusisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65798 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE