Shqipëri-Kroaci në Euro 2024, dyert e stadiumit hapen 3 orë para sfidës!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Shqipëri-Kroaci në Euro 2024, dyert e stadiumit hapen 3 orë para sfidës!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/06//shqiperi-kroaci-ne-euro-2024-dyert-e-stadiumit-hapen-3-ore-para-sfides.jpeg)
Teksa në orën 15:00, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë ndaj Kroacisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, një takim shumë i rëndësishëm në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut, po me kaq rëndësi është mbështetja. Tifozë të shumtë shqiptarë do t’i përkrahin nga afër kuqezinjtë.
Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF njofton se ashtu si me Italinë më 15 qershor, nuk ndryshon procedura për të hyrë në stadium e që hap dyert që në mesditë, tre orë para fillimit të takimit që për herë të parë në histori përball kombëtaret e futbollit të Shqipërisë e të Krocisë. Të dyja skuadrat vijnë nga humbet, kuqezinjtë me Italinë e kroatët me Spanjën e nuk mund t’i lejojnë vetes gabime. Për këtë arsye, dueli i sotëm është për “jetë a vdekje”, që të mund të vijojë rrugëtimi i ëndërruar në Europianin e Gjermanisë, i dyti për Shqipërinë.
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/06/shqiperi-kroaci-ne-euro-2024-dyert-e-stadiumit-hapen-3-ore-para-sfides-6672a65bf1716.jpeg)
Si në sfidën e parë ndaj Italisë në stadiumin e Dortmundit edhe në “Volksparkstadion” të Hamburgut dyert për tifozët do të hapen tre orë para fillimit të ndeshjes. Gjithashtu procedura për t’u futur në stadium do të jetë e njëjtë. Mos harroni që biletat ndodhen vetëm në aplikacionin “UEFA Mobile Tickets”. Kodi QR i biletës do të shfaqet pak përpara hapjes së dyerve të stadiumit. Biletat tuaja do të kontrollohen nga stafi i stadiumit në vend kontrollin e biletave, skanojeni biletën dhe drejtohuni për në vendin tuaj.
Të gjithë tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga stadiumi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara nga UEFA. Për të shmangur çdo lloj problem dhe penalizimi të gjithë tifozët duhet të shmangin ndezjen e flakadanëve gjatë ndeshjes, hedhjen e sendeve në fushë, transmetimin e mesazheve me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj) si edhe ndërprerjen e ndeshjes. Për ju që nuk keni bileta, mund të shijoni ndeshjen në Fan Zone Heiligengeistfeld që gjendet në zonën e St. Pauli dhe në Public Viewing Heiligengeistfeld.