SPAK-u kërkon Durim Bamin, pritet ekstradimi!
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë dosjen hetimore ndaj Durim Bamit, si dhe kërkesën për ekstradimin e tij. Burime bëjnë të ditur se kërkesa në Ministrinë e Drejtësisë është protokolluar dje ndërsa është duke u proceduar me përgatitjen e materialit për dërgimin te autoritet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, ku dhe u realizua arrestimi i të shpallurit në kërkim, shtetasit Durim Bami.
45-vjeçari Durim Bami, u arrestua një javë më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, më konkretisht në Dubai. Autoritetet shqiptare kishin mundur të gjurmonin lëvizjet e Bamit në Dubai dhe njoftuan kolegët e tyre për zonat ku mund të fshihej ai atje, çka solli dhe arrestimin e tij.
Ndaj Bamit, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, ndërsa është nën hetim për disa akuza penale, si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në diskutime për një marrëveshje ekstradimi, e cila mungon. Por, pavarësisht kësaj, mes dy vendeve ka ura të rëndësishme bashkëpunimi dhe siç ka theksuar ministri i Brendshëm, Taulant Balla po punohet për një marrëveshje ekstradimi, ndërsa më herët janë kryer edhe ekstradime falë bashkëpunimit edhe me Inteprol. Balla ka theksuar se shumë shpejt s’do ketë më oaze ku të kërkuarit nga drejtësia shqiptare do të mund të fshihen.