BE-ja pritet t’i heqë pjesërisht dhe gradualisht masat ndaj Kosovës!

vovalbania June 20, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE-ja pritet t’i heqë pjesërisht dhe gradualisht masat ndaj Kosovës!

Në Bashkimin Europian nuk ka dakordësi të plotë lidhur me heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht. Kështu mësoi Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, pas diskutimeve që u zhvilluan një ditë më parë në Komitetin e BE-së për Politikën dhe Sigurinë (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Sipas burimeve, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç dhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në raportin e tij, siç bëri të ditur Radio Evropa e Lirë, Borrell rekomandoi që Kosovës t’i hiqeshin masat, ndërsa Prishtina të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë që të ulen tensionet dhe që të shmangë veprimet e pakoordinuara. Këtë konstatim, ai e bëri pas një shqyrtimit të hollësishëm të hapave që Kosova ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve specifike që Blloku i vendosi Kosovës në qershorin e vitit të kaluar.

Sipas burimeve diplomatike, disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe aktualisht këto shtete nuk pajtohen që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.

Diplomatët e BE-së, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, thanë se në ditët në vijim mund të pritet edhe një deklaratë në emër të Unionit, përmes së cilës do të njoftohet për gatishmërinë e heqjes graduale dhe të pjesshme të masave ndaj Kosovës.

Ende nuk ka hollësi rreth asaj se cilat masa do të mund të largoheshin e cilat jo. Por, diplomatët e BE-së janë të mendimit se së pari do të mund të hiqen masat që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Instrumentet e Para Anëtarësimit (IPA), të cilat janë pezulluar për Kosovën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63990 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE