Trashëgimtarja e njohur Marlene Engelhorn lejon të panjohurit të vendosin për fatin e pasurisë së saj!
Trashëgimtarja austriake, e quajtur Marlene Engelhorn e cila trashëgoi miliona euro nga gjyshja e saj u ka kërkuar të panjohurve të vendosin për fatin e pasurisë së saj të trashëguar me vlerë 27 milionë dollarë. Pasi trashëgoi paratë nga gjyshja e saj, Traudl Engelhorn-Vechiatto, e cila vdiq në shtator 2022, Marlene u dërgoi kërkesa 50 shtetasve austriakë të zgjedhur rastësisht për ta ndihmuar në shpërndarjen e pasurisë së saj, raportoi New York Times.
Si kundërpërgjigje, grupi “Këshilli i Mirë për Rishpërndarje” ka ndarë planin e tij me trashëgimtaren se si ajo mund të rishpërndajë pasurinë. Ai sugjeroi dhënien e parave për 77 bamirësi gjatë disa viteve. Këto iniciativa bamirëse përfshijnë shoqatat e strehimoreve të grave, organizatat bamirëse të lidhura me fëmijët dhe organizatat e krizës klimatike.
Pjesa më e madhe e pasurisë u caktua për organizatat mjedisore Naturschutzbund Osterreich, me përfitues të tjerë të mundshëm duke përfshirë Laboratorin Botëror të Pabarazisë, Reporterët pa Kufij dhe Caritas Bamirësi Katolike. 50 personat e zgjedhur për vendimin u takuan gjatë gjashtë fundjavave dhe zhvilluan takime me ekspertë nga fusha të ndryshme, duke përfshirë ata të kërkimit mbi varfërinë dhe ligjin, ndër të tjera.
Të gjithë këtyre pjesëmarrësve iu dhanë tarifat e udhëtimit si dhe kujdesi për fëmijët. Marlene është një avokate e zëshme për rishpërndarjen e pasurisë. Ajo në të kaluarën ka mbështetur që tatimi mbi trashëgiminë të futet në ligj. Në një deklaratë ku sqaronte pozicionin e saj, Marlene tha:
Një pjesë e madhe e pasurisë sime të trashëguar, e cila më ngriti në një pozicion pushteti thjesht për shkak të lindjes sime, duke kundërshtuar çdo parim demokratik, tani është rishpërndarë në përputhje me vlerat demokratike.