Gërvalla: Përshpejtim i procesit të anëtarësimit në BE për ruajtjen e paqes në rajon!
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Austri, ku bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Gërvalla theksoi se në dy panele të ndara, para homologëve të shteteve pjesëmarrëse, prezantoi qëndrimet e Kosovës mbi sigurinë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella për sundimin e ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.
Ajo kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe veprime konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Para homologëve nga shtetet pjesëmarrëse, në dy panele të ndara shpalosa qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik si dhe bëra thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu ritheksoi mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në kontekstin e agresionit rus.
Pashmangshëm diskutuam edhe për agresionin rus në Ukrainë duke vënë në pah mbështetjen dhe solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën.
Në të njëjtin takim, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeostrategjike që kërkon mbështetje politike të menjëhershme.
Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili ekziston prej një viti, është një dëshmi e mirë se ne duhet ta trajtojmë zgjerimin si një domosdoshmëri gjeostrategjike që ka nevojë për mbështetje politike. Tani ose kurrë!
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për aspiratat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi miratimin e një Deklarate që synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.