Poeti Agim Doçi pëson hemorragji cerebrale/Në gjendje kritike në QSUT!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Poeti Agim Doçi pëson hemorragji cerebrale/Në gjendje kritike në QSUT!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/06//poeti-agim-doci-peson-hemorragji-cerebrale-ne-gjendje-kritike-ne-qsut.jpg)
Kompozitori dhe tekstshkruesi Agim Doçi ka pësuar hemorragji cerebrale. Sot në mëngjes, 76-vjeçari u paraqit në Neurologjinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe menjëherë u shtrua në reanimacionin e këtij shërbimi.
Top Channel ka kontaktuar me mjekët e këtij shërbimi, të cilët thanë se po përpiqen për të ofruar maksimumin, por kompozitori paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Agim Doçi është autor i mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare. I lindur më 9 maj 1948, është arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë, etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.
Eshtë autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to edhe përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 të tilla për luftën e Kosovës, si “Marshi i UÇK-së” apo “A vritet pafajsia”.
Ka botuar disa libra me poezi si “Hajde dru me pre”, “Rrëzuar mbi vetminë” apo “Rituali i kryqëzimit”.