Sot votimi i qeverisë së re në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!

vovalbania June 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sot votimi i qeverisë së re në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sot mban seancën për votimin e qeverisë së re të Hristijan Mickoskit, kryetar i VMRO-DPMNE/së që fitoi zgjedhjet e 8 majit.  Ekzekutivi do të ketë 24 ministri, katër më shumë se përbërja aktuale. Krahas VMRO-DPMNE/së, pjesë e tij do të jetë edhe koalicioni VLEN, me katër parti shqiptare dhe subjekti ZNAM, i përbërë nga ish-anëtarë të Lidhjes Socialdemokrate maqedonase (LSDM).

Partitë fituese kanë një shumicë parlamentare prej 78 nga 120 deputetë, sa numëron Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Që të zgjidhet qeveria e re duhet të votojnë 61 deputetë. Sipas rregullores, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë. Në fjalimin para deputetëve, Mickoski do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar, si dhe programin e punës.

Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi europian i vendit do të jenë prioritetet kryesore të punës së qeverisë, sipas Mickoskit.

VMRO-DPMNE/ja ka garuar në zgjedhje me atë që njihet si programi #1198 – si referencë për numrin e projekteve në sfera të ndryshme e që tani janë pjesë e programit të punës. Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e kabinetit të ri, janë zotuar se do të kenë një qëndrim të ndryshëm nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti që ka qenë në pushtet që nga viti 2002.

Izet Mexheti, i cili në qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, vuri në dukje se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në qeveri.

Ndarja e ministrive në qeverinë e re

VMRO-DPMNE/ja dhe partnerët e saj të koalicionit “Maqedonia Ime” do të kenë numrin më të madh të ministrive, gjithsej 16. Ministër i Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkoski ndërsa i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë pritet të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Transportit nga Aleksandar Nikollovski, i propozuar edhe për zëvendëskryeministër.

Ministrinë e Financave do ta udhëheqë Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa të Energjetikës, Sanja Bozhinovska e të Arsimit, Vesna Janevska. Ivan Stoilkoviç nga Partia Demokratike Serbe do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE