Ukrainë, sulm masiv rus në infrastrukturën shtetërore të energjisë!

vovalbania June 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukrainë, sulm masiv rus në infrastrukturën shtetërore të energjisë!

Ministria e Energjisë në Ukrainë dhe operatori kombëtar i rrjetit, Ukrenerho thanë se infrastruktura shtetërore e energjisë është shënjestruar sërish me raketa dhe dronë rusë, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Si pasojë e sulmeve janë dëmtuar sistemet e energjisë në rajonet Lviv e Zaporizhja, siç vuri në dukje Ukrenerho përmes një deklarate në Telegram. Po ashtu, dy punonjës u shtruan në spital nga sulmet në rajonin Zaporizhja.

Ministria e Energjisë deklaroi se për shkak të goditjeve janë shkëputur linjat e energjisë në lindje të Ukrainës, çka ndikoi në furnizime më të dobëta me energji në rajon. Ukrenerho theksoi se ky ishte sulmi i tetë i një shkalle të gjerë në sistemin e energjisë, në tre muajt e fundit.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka theksuar se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 12 prej 16 raketave e të 13 dronët e nisur prej Rusisë përgjatë orëve të natës. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka komentuar sulmin.

Në një tjetër sulm, një ditë më parë, u raportua për pesë persona të vrarë në rajonin e Donjeckut. Në muajt e fundit, në mënyrë sistematike, Rusia ka shënjestruar infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke shkaktuar dëme të mëdha e duke lënë mijëra njerëz pa furnizim me energji elektrike.

Sipas disa vlerësimeve, rreth gjysma e kapacitetit për prodhim të energjisë në Ukrainë është shkatërruar si pasojë e luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh kohët e fundit se ai shpreson në zhvillimin e infrastrukturës për energjinë e ripërtrishme, për të tejkaluar krizën me energjinë, të shkaktuar prej sulmeve ruse.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE