Fyerjet raciste, UEFA merr vendimin e ashpër për Mirlind Dakun!
Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.
Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dyseldorf.
UEFA nisi hetim ndaj FSHF-së për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Kroaci-Shqipëri, por edhe ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, më 20 qershor.
Pas ndeshjes me Kroacinë, ofendoi dhe shau maqedonisht.
Pas kësaj ai reagoi në rrjete sociale duke shkruar:
“Përshëndetje të gjithëve
Së pari dua të jem falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.
Falja është burrërore dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar.
Me respekt, Mirlind Daku”.
Ndërkaq, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë sërish edhe Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së raundit të dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Kroacisë, e luajtur në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor 2024.
Penalizimi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.
Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj).
FSHF fton tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin deri në fund Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim magjik dhe historik në EURO 2024, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.
Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.