Hezbollahu shënjestron kazermat izraelite pas vrasjes së një komandanti!

vovalbania June 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hezbollahu shënjestron kazermat izraelite pas vrasjes së një komandanti!

Hezbollahu, grupi militant i Libanit, njoftoi sot se ka shënjestruar me dron të armatosur një pozicion ushtarak në veri të Izraelit, si përgjigje për vrasjen e një komandanti. Izraeli dhe ky grup, që përkrahet prej Iranit dhe është aleat me Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Europian kanë shkëmbyer sulme gati çdo ditë në zonën kufitare, prej kohës së nisjes së luftës në Gaza, në tetor të vitit të kaluar.

Njoftimi i Hezbollahut erdhi disa orë pasi u publikua një video në të cilën tregohen vendet e shënjestruara në Izrael ndërsa rriten shqetësimet për një konflikt të madh mes dy armiqve. Një ditë më parë, grupi Jamaa Islamiya njoftoi lidhur me vdekjen e njërit prej komandantëve, Ayman Ghotmeh, duke thënë se ai mbeti i vrarë “në bastistjet e zionistëve” në Kaira, në zonën lindore Beka të Libanit.

Izraeli e konfirmoi më vonë kryerjen e sulmit, duke theksuar se Ghotmeh ka qenë përgjegjës për furnizim me armë të forcave Fajr, krahut të armatosur të grupit Jamaa Islamiya, por edhe të militantëve të Hamasit.

Tensionet kufitare janë rritur edhe më shumë në ditët e fundit, pasi ushtria izraelite raportoi të martën e kaluar se plani për një ofensivë në Liban është “miratuar dhe legjitimuar”. Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u përgjigjur me kërcënimet se asnjë pjesë e Izraelit nuk do të mbetet pa u prekur, në rast të një lufte të plotë.

Si pasojë e dhunës kufitare janë vrarë të paktën 480 njerëz në Liban, shumica prej tyre luftëtarë, por në mesin e viktimave janë edhe 93 civilë, siç ka raportuar agjencia e lajmeve AFP. Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se të paktën 15 ushtarë dhe 11 civilë u vranë në veri të shtetit.

Ushtria izraelite ka nisur një fushatë ushtarake për të shkatërruar Hamasin, pas sulmit të pashembullt të militantëve të grupit, në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar. Në atë sulm gjetën vdekjen rreth 1 mijë e 200 izraelitë dhe u morën peng më shumë se 240 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza deklaron se prej nisjes së luftës kanë humbur jetën më tepër se 37 mijë palestinezë, kryesisht gra e fëmijë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63978 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE