Humbi kontrollin e mjetit, ndërroi jetë 22-vjeçari në Durrës!
Një 22-vjeçar ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.4 të Durrësit pranë vendit të njohur si Ura e Dajlanit. I riu po udhëtonte me makinë kur u përplas lehtë me trafik ndarësen. Nga hetimet dyshohet se pësoi arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit e për fat të keq humbi jetën.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 20:45 (22 qershor), në lagjen nr. 4 të Durrësit, te “Ura e Dajlanit”, automjeti me drejtues shtetasin A.H., 22 vjeç, është përplasur lehtë me trafik ndarësen.
Nga veprimet e para dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pësuar arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Dje ishte një ditë e zezë për aksidentet rrugore në Durrës. Në Hamallaj, humbi jetën një 16-vjeçar dhe u plagos një i ri 20-vjeç nga përplasja e dy makinave. I mituri Alban Hasrama udhëtonte si pasagjer në njërin prej mjeteve. Në njoftimin e një dite më parë, policia theksonte:
Rreth orës 15:40, në Hamallaj Durrës, automjeti me drejtues shtetasin O.M., 25 vjeç është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E.K., 20 vjeç.
Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi E.K, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe ka humbur jetën në spital pasagjeri shtetasi A.H., 16 vjeç, që ndodhej në automjetin që drejtonte shtetasi E.K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se njëra prej makinave lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.