“Kapriçot” e motit në Amerikë/Shtetet mes përmbytjeve e të nxehtit!
Në Amerikë, guvernatori i shtetit të Ajouas urdhëroi dërgimin e helikopterëve në një qytet të vogël për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e përmbytura, si pasojë e reshjeve të shiut që kanë rënë për javë me radhë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë shtete të tjera po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Sirenat u ndezën në orën 02:00 të mëngjesit në qytetin Rock Valley në Ajoua, me një popullsi prej 4 mijë e 200 banorësh. Qindra qytetarëve iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë pasi lumi Rock doli nga shtrati, si pasojë e shirave që kanë goditur rajonin. Qyteti përballet me mungesë të ujit të pijshëm.
Ndërkaq, të tjera shtete amerikane po përballen me temperatura tejet të larta dhe me lagështirën. Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi se rreth 15 milion njerëz kanë marrë paralajmërimin më të lartë për të nxehtin ndërsa 90 milion banorëve të tjerë iu është kërkuar të kenë kujdes nga temperaturat e larta.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjetuan valën më të madhe të të nxehtit që nga 1936-ta, siç deklaruan ekspertët. Një analizë nga agjencia e lajmeve Associated Press e të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zbuloi se nxehtësia e tepërt ndikoi në më shumë se 2 mijë e 300 vdekje në SHBA, numri më i lartë në 45 vjet, që kur ka nisur regjistrimi i dhënave.
Në Uashington e po ashtu në qytetin Richmond të Virxhinias, temperaturat pritet të arrijnë deri në 37.8 gradë Celcius, ndërsa qytetet Filadelfia, Kolumbus apo Detroit mund të përballen me temperatura tepër të larta po ashtu.
Në juglindje të shtetit të Miçiganit, mijëra banorë vuajtën mungesën e energjisë elektrike për shkak të stuhive. Shteti i Dakotës së Jugut u përball me përmbytje, si pasojë e shirave të dendur. Në Nju Meksiko, shirat dhe përmbytjet detyruan autoritetet të urdhëronin evakuime ndërsa po ngrihen qendra strehimi për banorët e zhvendosur.