BE-ja miraton sanksionet e reja kundër Rusisë!

vovalbania June 24, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE-ja miraton sanksionet e reja kundër Rusisë!

Bashkimi Europian miratoi një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë. Aty përfshihet ndalimi i rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE, me qëllim dërgimin në vendet e treta. Po ashtu, i mundëson Unionit më shumë mjete për të luftuar shmangien e sanksioneve, që paraqesin masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës.

Sanksionet e reja vënë në shënjestër sektorë të vlerës së lartë të ekonomisë ruse, si energjia, financat e tregtia, si dhe e bëjnë tejet të vështirë shmangien e atyre të BE-së, tha Këshilli i Bllokut në një komunikatë.

Ndër të tjera, paketa në fjalë përfshin dhe ndalimin e përdorimit të Sistemit për Transfertat e Mesazheve Financiare (SPFS), një lloj sistemi SWIFT me bazë në kryeqytetin rus Moskë. Për më tepër, partitë politike e organizatat, si dhe OJQ-të, nuk do të lejohen më të pranojnë financim nga Rusia, bëri të ditur Këshilli.

Sanksionet ua ndalojnë mediave të BE-së, partive politike dhe organizatave analitike të marrin fonde nga burime ruse. Janë vendosur masa dhe kundër kompanive nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Turqia, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anashkalimin e sanksioneve kundrejt Rusisë, thuhet në deklaratë.

Në njoftim theksohet edhe se Këshilli i BE-së i ngarkon kompanitë europiane me detyrën që të sigurojnë që partnerët e tyre në vendet e treta, të mos i shkelin sanksionet europiane.

Bashkimi Europian kufizon regjistrimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në bllok për qytetarët dhe kompanitë e Rusisë, nënvizohet në njoftim.

Siç dihet, lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit 2022 e vijon prej më shumë se dy vitesh tashmë. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe refuzon ta përkufizojë ndryshe.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Ndërkaq, si pasojë e luftës, në Ukrainë kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64082 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE