Të enjten debati presidencial Biden-Trump në SHBA/Pritet audiencë rekord!
Dy kandidatët më të moshuar ndonjëherë në garën për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, më 27 qershor do të takohen ballë për ballë, në një debat televiziv si asnjëherë tjetër. Njëri akuzon rivalin se përbën rrezik për demokracinë, tjetri e quan kundërshtarin, “të korruptuar”. Presidenti Joe Biden 81-vjeç dhe ish-presidenti Donald Trump, 78 janë në garë të ngushtë, referuar sondazheve.
Në Amerikë mbeten më pak se pesë muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Shumë votues janë të pavendosur dhe presin të shohin debatin që pritet të ndiqet në shifra rekord, më shumë për shkak të momenteve dramatike, se të diskutimeve të politikave të presidentit demokrat dhe konkurrentit republikan.
Të dy kandidatët mund të përballen me pyetjet nëse janë të gatshëm fizikisht dhe në aspektin mendor, për të kryer detyrën e presidentit. Trump pretendon se Biden nuk ka aftësi as fizike dhe as mendore për një mandat të ri. Por, Biden e quan paraardhësin e tij, “të turbullt” e të rrezikshëm për normat demokratike.
Demokratët e përmendin shpesh rolin e Trump-it në sulmin e mbështetësve të tij ndaj Kongresit Amerikan më 6 janar 2021, si dhe përpjekjet e tjera për të përmbysur rezultatin zgjedhor të 2020-ës. Po ashtu, i kujtojnë dënimin e 30 majit kur një gjykatë e shpalli “fajtor” në 34 pika në rastin ku Trump u akuzua se e ka blerë heshtjen e një ylli të filmave pornografikë, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që i fitoi Trump.
Në sallën e debatit nuk do të ketë audiencë, çka mund të jetë problematike për të dy kandidatët e sidomos për Donald Trump-in, i cili siç dihet merr zemër prej turmave që bërtasin. Por, fakti që nuk do të kenë mbështetës ndoshta do t’i bëjë të fokusohen më shumë në përmbajtje e më pak në kritika.
Një tjetër rrezik për ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë: CNN tha se mikrofoni i një kandidati do të fiket, për të parandaluar pengesat kur flet tjetri. Ka mundësi që Donald Trump edhe të ngrejë zërin, pavarësisht mikrofonit të ndezur apo jo.
Si ish-yll i emisioneve televizive, Trump ka përvojë të gjatë në studio ndërsa Biden është mësuar të mbajë fjalime prej Shtëpisë së Bardhë, pa audiencë. CNN bëri të ditur se Donald Trump do të jetë i fundit që pritet të deklarohet në debat.