Lajm i fundit/ Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin 2 vite burg për Fredi Belerin!

vovalbania June 25, 2024 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Lajm i fundit/ Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin 2 vite burg për Fredi Belerin!

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për dënimin e krybashkiakut të zgjedhur të Himnarës, Fredi Belerin me 2 vite burgim.

Vendimi u shpall nga tre gjyqtarët Daniela Shirka, Dhimiter Lara dhe Ilirjana Olldashi. Ndërkaq është rrëzuar kërkesa e avokatëve të Belerit për perjashtimin e Daniela Shirkës. Në seancë ka pasur shumë interesim nga mediat greke dhe mbështetes të Belerit. Po ashtu nuk ka munguar edhe ambasadorja greke.

Më 14 qershor, pas një seance që zgjati gati 4 orë Gjykata e Apelit të Posaçëm deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor.  Bashkë me Belerin në gjyq është edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi. Beleri dhe Kokaveshi kërkojnë pafajësi për akuzën për blerje votash pasi GJKKO e dënoi me 2 vite  Belerin dhe 1 vit e gjashtë muaj burg Kokaveshin. Vendimi i Kokaveshit është i pezulluar me shërbim prove për tre vjet.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Më 10 qershor Fredi Beleri, është zgjedhur eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.

Njoftimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Iliriana Olldashi (anëtare),  më datë 25.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 32 akti, datë 08.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., kundër vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit P.K., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin P.K. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit P.K. me vendimin nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Dh.A.B., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dh.A.B., fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në zbatim të nenit 190/1 germat “a” dhe “ç” të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimit penal, Gjykata disponon si më poshtë:
–              Një CD-R Maxell mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Komisariati Himare Dt. 10.05.2023”, një DVD-R mbi të cilën është shënuar shkrim dore “Komisariati Himarë Dt.11.05.2023”, DVD+RW” EMTEC, mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Proc. Nr. 489 dt. 08.09.10.11 i 5 – 2023 Himarë. Vlorë, të qëndrojnë në dosje.

–              8 (tetë) kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, të konfiskohen dhe kalojnë në favor të shtetit.

–              Aparat celular i llojit “RedMi”, ngjyrë e zezë, i përdorur nga i pandehuri P.K., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.

–              Aparat celular i llojit “Iphone” me ngjyrë të zezë, me mbrojtëse plastike me ngjyrë të zezë, i përdorur nga i pandehuri Dh.A.B., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.

–              Pajisje DVR e markës “Dahua”, numër serie SN 6J001308PA213DF64, sekuestruar shtetases E.S., ti kthehet kësaj shtetaseje.

–              Aparat celular i llojit “Iphone 11 Pro Max”, ngjyrë e zezë, me veshje të jashtme plastike të kuqe, në gjendje të fikur, me IMEI: ***, i përdorur nga dëshmitari A.R., ti kthehet këtij shtetasi.

–              Një qese plastike, ngjyra e bardhë, me mbishkrime me ngjyrë të gjelbër, brenda së cilës gjenden: – një faturë tatimore e subjektit me NIPT ***, e datës 11.05.2023, një faturë tatimore me shkrim në gjuhën Greke, me vlerë 27,00 EUR, dy tollona nafte 10 litra dhe dy tollona nafte 5 litra të karburant “***”, dy blloqe të vegjël shënimesh me fletë me ngjitëse me ngjyrë përkatësisht rozë dhe jeshile. Një kartë e re celulari sim Vodafone, në paketim letre, me numër ***, katër fletë letre me mbishkrime në gjuhën greke, të kapura së bashku, një kartë vizitë me shkrimin Laptop service, një portofol material lëkure brenda së cilit gjendet: një dokument me fotografi i plastifikuar, me shkrim në gjuhën Greke; një kartë debiti e bankës “Alpha Bank” me numër ***; një kartë debiti e bankës “NBG” me numër ***; një dokument me fotografi material plastik me mbishkrimin “Omonia” dhe me numër ***; dy karta plastike me mbishkrimin përkatësisht “***” dhe “***” si dhe tetë kartëvizita të tjera, sende këto të sekuestruara gjatë kontrollit të të pandehurit P.K., t’i kthehen këtij të fundit.

Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet e gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve P.K. dhe Dh.A.B.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 56483 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE