Merret vendimi, burrat ultra-ortodoksë do të shërbejnë në ushtrinë izraelite!
Gjykata e Lartë e Izraelit, sot vendosi njëzëri që ushtria izraelite të fillojë të thërrasë për shërbimin në ushtri burrat ultra-ortodoksë. Ky vendim mund të çojë në dështimin e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një kohë kur Izraeli është duke vijuar me luftimet intensive në Gaza kundër Hamasit.
Shumicës së burrave dhe grave hebraike në Izrael u kërkohet ta kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në moshën 18-vjeçare. Por, ultra-ortodoksët, të cilët janë të fuqishëm politikisht, nuk detyroheshin ta kryenin shërbimin, nëse studionin në seminare fetare me orar të plotë. Përjashtimi i tyre nga kryerja e shërbimit zemëroi publikun e gjerë e kjo sidomos në kohën kur qindra ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.
Izraeli dhe Hamasi duket se po pajtohen çdo herë e më pak në lidhje me mënyrën si duhet të zbatohet një marrëveshje e mundshme për armëpushim. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm një marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, por që nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.
Po ashtu, komentet e Netanyahut dallojnë ndjeshëm me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit. Madje, disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”. Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit aleat kryesor të tij.
Izraeli e nisi luftën në Gaza si një përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, kohë kur u vranë 1 mijë e persona, kryesisht civilë, si dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë. Shteti hebraik thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gaza, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve, të rrëmbyer nga militantët tetorin e kaluar.
Prej asaj kohe, lufta izraelite në Gaza ka vrarë më shumë se 37 mijë palestinezë, gjysma e tyre fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.