Skandali te Onkologjiku, zbardhen të tjera përgjime!
Top Channel zbardh një tjetër përgjim të dosjes së abuzimeve te Spitali i Onkologjikut në QSUT. Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha është zhvilluar një bisedë mes kryeinfermierit Afrim Ruçi e bashkëshortit të njërës prej pacienteve që kërkon të marrë shërbim më para datës së pritjes.
Përgjimet data 1.12.2023:
Qytetari: Afrim përshëndetje, unë jam i shoqi i asaj B që diskutonim ato muhabetet. Mos më gjen ndonjë mundësi si t’ia bëjmë sot se unë e kam javore atë kimon, për nder se jam në hall. S’më ndihmon dot me një kështu se ajo e ka javore, ia kemi blerë sa qimet e kokës dhe të pres datën 5 unë…
Afrim: Ja të them për pak se jam tek Pediatria me çunin.
Qytetari: Mirë më thuaj se jam gati të nisem direkt.
Pjesë nga biseda 14.12.2023:
-Do vijë një nga Kukësi, ma ndihmo të lutem! M’i afro çik kimioterapitë. Bëje për hatrin tim. Ku je ti?
Afrimi: Unë jam lart në zyrë.
-Mirë ja do vijë lart tek zyra kjo.
Nën drejtimin e prokurorit Bledar Valikaj, veprimet hetimore janë ndjekur si me veprime proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu dhe me veprime të hapura hetimore.
Në dosje theksohet se “nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se punonjës të këtij departamenti ku rolin kryesor e ka kryeinfermieri i pavionit, pasi marrin programin e plotë për kurën e një pacienti dhe ky medikament sigurohet nga shteti duke qenë se çdo pacient i kimios është i regjistruar në databazë nuk e lënë të gjithë kurën e plotë për trajtim por një pjesë e kësaj kure nxirret për t’u blerë jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private”.
Një medikament për kimion është shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 deri në 1500 euro.
Përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregtohet jashtë ambienteve spitalore që është shkelje, ka dhe raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikamentin dhe pse nuk është radha e tij për kurim, por në listën e pritjes është një person tjetër.
Pjesë nga përgjimet:
-Afrim mirëmëngjesi! Jam ai ushtaraku që kemi komunikuar. Sot kam kimion e babit a kemi ilaç. DOCTOXEL?
– Mgjes.Ok.
-Të lutem, fut dikë në sistem që t’i bëjë 6 se m’i kërkoi.
-A t’i bëj nesër më mirë?
– E mirë mirë hajde se do t’i kërkoj.
– Flakona a?
– Po 6 flakonë.