Indeksi/Shqiptarët janë më të stresuarit në rajon!
Shqiptarët janë ata që përjetojnë më shumë trishtim, stres e dhimbje fizike se gjitha vendet e tjera të Ballkanit, sa i përket pesë përvojave negative. Nga ana tjetër, pas Kosovës, jemi ata që përjetojmë më shumë kënaqësi, ndjesi çlodhjeje, buzëqeshim më shumë e trajtohemi me më shumë respekt.
Të dhënat u bënë të ditura në raportin e Gallup Global Emotions 2024, i cili ofron një pamje të matjeve më të fundit të përvojave pozitive e negative të përditshme të njerëzve. Gjetjet bazohen në afro 146,000 intervista me të rritur, në 142 vende dhe zona në vitin 2023.
Indekset e përvojës pozitive dhe negative të Gallup-it, matin gjërat e paprekshme të jetës si ndjenjat dhe emocionet që treguesit ekonomikë tradicionalë si PBB-ja, nuk arrijnë t’i pasqyrojnë. Çdo indeks ofron një fotografi në kohë reale të përvojave të përditshme të njerëzve, duke u ofruar udhëheqësve njohuri mbi shëndetin e shoqërisë, që nuk mund t’i mbledhin vetëm nga treguesit ekonomikë.
A i keni përjetuar ndjenjat e mëposhtme gjatë një pjese të madhe të ditës së djeshme? Ja si u përgjigjën të anketuarit shqiptarë:
Zemërim
24% e shqiptarëve pohuan se një ditë më parë përjetuan zemërim, ndërsa 74%, jo.
Trishtim
29% u ndjenë të trishtuar, 70% nuk përjetuan trishtim, 1% refuzoi të përgjigjet.
Stres
49% përjetuan stres në ditën pararendëse, 50% jo, 1% refuzoi të përgjigjet.
Shqetësim
40% ishin të shqetësuar, 60% jo.
Dhimbje fizike
46% e të anketuarve ndjenë dhimbje fizike një ditë më parë, ndërsa 53% jo. 1 %refuzoi të përgjigjet. (më të lodhurit në rajon)
Kënaqësi
68% e të anketuarve përjetuan kënaqësi, 31% jo, 1% refuzuan të përgjigjen.
Të çlodhur
65% u ndjen të çlodhur, 34% jo, 1 % refuzuan.
Mësuat apo bëtë diçka interesante
35% mësuan apo bënë diçka interesante, 65% jo, 1% refuzuan.
Buzëqeshët ose qeshët
74% kanë arritur të buzëqeshin, 25% jo, 1 % kanë refuzuar të përgjigjen.
U trajtuan me respekt
92% u trajtuan me respekt, 7% jo, 1% refuzuan.
Në Europë, më të stresuarit janë grekët, më pak të zemëruar janë finlandezët dhe portugezët, më pak të mërziturit janë shtetasit e Kosovës e të Polonisë./Monitor