SHBA, Hillary Clinton me libër të ri kujtimesh!
Me zgjedhjet presidenciale në prag, Hillary Clinton po paralajmëron votuesit amerikanë për një libër të ri me kujtime. Ish-Zonja e Parë, e cila në vitin 2016 përfaqësoi demokratët në garën për Shtëpinë e Bardhë kundër Donald Trump e humbi, ndonëse favorizohej nga sondazhet, tani është gati të botojë kujtime të reja.
Aty ilustron “opinionet e saj mbi politikën, demokracinë, kërcënimet me të cilat përballemi dhe të ardhmen brenda mundësive tona”. Njoftimi vjen në prag të debatit mes presidentit aktual Joe Biden, i cili kërkon një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë e Donald Trump-it. Edhe ish-presidenti kërkon rikthimin e do të ritentojë më 5 nëntor. Ndërkaq, Hillary kujton se ishte e vetmja që i sfidoi që të dy në këtë format.
Me titullin “Something Lost, Something Gained: Reflections on Life, Love, and Liberty” (“Diçka e humbur, diçka e fituar: Reflektime mbi jetën, dashurinë dhe lirinë”), libri do të botohet më 17 shtator, shtatë javë para votimit për Shtëpinë e Bardhë e sipas shtëpisë botuese “Simon & Schuster” pritet të na tregojë një Hillary që nuk e kemi parë kurrë më parë.
Kujtimet janë shumë personale dhe përfshijnë reflektime mbi martesën e saj me ish-presidentin Bill Clinton, miqësinë dhe punën personale që bëri për të kapërcyer humbjen në zgjedhje (në vitin 2008 ishte Barack Obama ai që e mundi në një sfidë për zgjedhjet e fundit paraprake të demokratëve)”, shkruan faqja e internetit Axios.
Ti lexon librin dhe është sikur je ulur për një drekë të gjatë me miqtë më të zgjuar, më të këndshëm e më të pasionuar, tha Priscilla Painton, drejtoreshë te “Simon & Schuster”.
Hillary Clinton është 76 vjeçe dhe jo vetëm ishte Zonja e Parë e kandidate për Shtëpinë e Bardhë, por edhe senatore e sekretare e Shtetit. Që para kandidimit presidencial të bashkëshortit Bill, në vitin 1992 ka spikatur me një karrierë të suksesshme si një nga 100 avokatet më të mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.