Iranianët votojnë për presidentin e ri pas vdekjes së Raisit në aksident ajror!

vovalbania June 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Iranianët votojnë për presidentin e ri pas vdekjes së Raisit në aksident ajror!

Qytetarët iranianë sot në mëngjes kanë filluar votimin në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar Ebrahim Raisin, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit ku udhëtonte pas një vizite në Azerbajxhan, më shumë se një muaj më parë, në datën 19 maj.

Kandidatët, mes tyre dhe një reformator i vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i Republikës Islamike. Fituesi mund të luajë një rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të thyer, Ayatollah Ali Khamenei. Kjo në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran edhe për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës e gjithashtu, ekonomisë së dobët.

Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve. Eshtë fjala për dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili e kryetarin e Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, si dhe reformatorin Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të Iranit me fuqitë botërore.

Nuk ka dyshime se në Republikën Islamike zgjedhjet janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër. Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet presidenciale.

Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran, vend me rreth 88 milion banorë ka patur një pjesëmarrje rekord të ulët. Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të muajit mars ishte rreth 41% edhe pse kritikët vunë në dukje se numri real ishte edhe më i ulët se zyrtari.

Ekspertët po thonë se rënia e ndjeshme e nivelit të pjesëmarrjes po nënkupton një hendek në rritje midis klerikëve në pushtet e popullsisë së re të Iranit, pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale e politike po ashtu.

Unë dyshoj se shoqëria do të pranojë që të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë, u shpreh për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, një analist politik me bazë në Iran.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE