Von der Leyen nominohet për postin kryesor të BE-së!
Udhëheqësit e BE-së emëruan kryetaren aktuale të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për një mandat të dytë pesëvjeçar në postin kryesor të bllokut, në një samit në Bruksel, sipas BBC-së. Ndërkaq, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas u zgjodh si shefja e re e çështjeve të jashtme të BE-së dhe ish-kryeministri portugez, António Costa, si kryesuesi i ardhshëm i samiteve të Unionit. Të tre kandidatët janë nga fraksionet centriste pro-Bllokut. Parlamenti Europian do të votojë për nominimet muajin e ardhshëm.
Ursula von der Leyen është nga qendra e djathtë e Gjermanisë, António Costa, një socialist dhe Kaja Kallas, një liberale. Por, këto nominime u përballën me rezistencën e kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Para samitit, Meloni tha se planet injoronin sukseset e partive të djathta të forta si ajo e saj në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian. Meloni abstenoi nga votimi për Von der Leyen-in dhe votoi kundër Costas-it e Kallas-it.
Miratimi nga Parlamenti Europian mund të jetë një sfidë më e ndërlikuar.
Unë do të doja të shpreh mirënjohjen time për liderët që miratuan emërimin tim për mandatin e dytë si presidente e Komisionit Europian, tha Von der Leyen pas votimit.
Kaja Kallas u shpreh se ishte “me të vërtetë e nderuar nga mbështetja e Këshillit” dhe e përshkroi rolin si një “përgjegjësi të madhe”. Costa, i cili dha dorëheqjen si kryeministër vitin e kaluar do të zëvendësojë ish-kryeministrin e Belgjikës, Charles Michel.
Kallas do të marrë detyrën nga spanjolli Josep Borrell. Meloni, e cila kryeson bllokun e krahut të djathtë të Konservatorëve dhe Reformistëve ECR në Parlamentin Europian, nuk u përfshi në bisedimet për nominimet pavarësisht faktit se ECR u bë grupi i tretë më i madh në parlament pas zgjedhjeve europiane.
Duke iu drejtuar parlamentit italian, dy ditë më parë tha me zemërim se votuesit europianë i kishin kërkuar BE-së të “marrë një rrugë të ndryshme nga ajo në të cilën ka udhëtuar deri tani”. Pa përmendur emra, kritikoi “ata që argumentojnë se qytetarët nuk janë mjaft të pjekur për të marrë vendime të caktuara dhe [që besojnë] se oligarkia është në thelb forma e vetme e pranueshme e demokracisë”.