Fico ‘ringjallet’ edhe më i fortë, mbyll radion publike në Sllovaki!
Atentati ndaj jetës së tij u mendua mes të tjerash se ishte pasojë ë pakënaqësisë së madhe që ngjallën mes sllovakëve lëvizjet e Robert Ficos drejt mbylljes së radiotelevizionit publik.
Por kjo nuk e ka frenuar nxjerrjen e ligjit të ri për mediat në Sllovaki, që praktikisht shihet si hap që i jep fund lirisë së tyre. Qeveria ka vendosur të shpërbëjë radion publike duke krijuar një radio shtetërore. Këshilli Kombëtar i vendit 5,5 milionë banorësh aprovoi në një proces të përshpejtuar një ligj për mediat, i cili kritikohet shumë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik. 78 nga gjithsej 150 deputetë, të gjithë përfaqësues të koalicionit populist- nacionalist në pushtet të përbërë nga tri parti, ngritën dorën pro ligjit të ri të mediave.
Opozita e bojkotoi votimin. Shpërbërjen e radios publike RTVS dhe fillimin e një radioje të re shtetërore STVR e kërkon presidenti i shtetit, Peter Pellegrini, një besnik i kryeministrit, Robert Fico. Me nënshkrimin që ai i bëri ligjit, RTVS do të kthehet në STVR, Televizion dhe Radio Sllovake. Ligji i ri nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e emrit të stacionit. „Ne shqetësohemi, se ligji i ri ka një synim: kontrollin e transmetimeve,“ tha për agjencinë e lajmeve KNA, gazetarja e RTSV, Sona Weissova.
Sipas saj, presioni i qeverisë Fico nuk kufizohet vetëm tek mediat publike, por prek edhe transmetuesit dhe gazetat private si dhe institucionet e tjera kulturore. Mediat, që kritikojnë politikën e Ficos kanë qenë prej kohësh halë në sy për kryeministrin që ndjek një kurs nacionalist. Radioja publike në Sllovaki ka pasur deri tani mbështetje të madhe në popull, dhe në pranverë mijëra sllovakë dolën në rrugë në shumë qytete të vendit dhe treguan solidaritet me të.