Pse kur zbatohet dënimi me “punë në interes publik” individi nuk konsiderohet si i dënuar?!
Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysëm liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli. Por ngelet e paqartë se si do të vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk e kanë në Tiranë. Zyrtarisht pranohet se 9-fishi i shtetasve të dënuar po e vuajnë dënimin jashtë burgut me dënime alternative, detyrim paraqitje, punë me interes publik dhe liri me kusht. Të tillë janë 10 360 persona. Ndërsa në burg mbahen si të dënuar të formës së prerë 1724 persona. 2891 të tjerë kanë statusin e të paraburgosurit dhe prezumohen të pafajshëm gjersa gjykatat të flasin.
Pavarësisht ligjit që parashikon gjysëm lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg.
Në episodin e radhës në podcastin “Fol me Anila Hoxhën” ka qenë i ftuar Florjan Kalaja, Gjyqtar Apeli për korrupsionin dhe krimin e organizuar për të folur mbi qëndrimet e gjykatave dhe risitë e ligjit mbas reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Ju thatë që një nga format me frekuente të dënimit është dënimi me “punë në interes publik”. Ne kemi vërejtur që ndoshta mund të jetë edhe një harresë e ligjvënësit, se ata që dënohen me punë me interes publik, këtu e kam fjalën për dënimet që jepen në gjykatën e posaçme, nuk konsiderohen në kuptim të ligjit, mbasi marrin këtë lloj dënimi, nuk konsiderohen të dënuar. Sipas jush është diçka që është harruar? Ne kemi raste zyrtarësh të pushtetit lokal, të cilët janë dënuar me punë në interes publik, e kanë shlyer dënimin duke punuar në një bibliotekë, duke shërbyer në një muze etj. Dhe ndërkohë ata nuk rezultojnë të dënuar.
Florjan Kalaja: Kur gjykata vendos që për një vepër të caktuar penale do të duhet të zbatohet kjo lloj mënyrë alternative e vuajtjes së dënimit me burgim, puna me interes publik, individi quhet i padënuar. Është një parashikim ligjor ekspelicit ky në Kodin Penal, e para është kjo. E dyta, është në Kodin e Procedurës Penale të ndryshuar në vitin 2017, jemi në situatën e paketës së reformës në drejtësi, kur u prezantua për herë të parë urdhëri penal. Dënimi me urdhër penal të prokurorit edhe kjo mënyrë e dënimit, e zgjidhjes së procedimit penal ka sjellë këtë lloj zgjedhje ligjvënësi, se individi i dënuar sipas kësaj lloj mënyrë konsiderohet i padënuar. Diskutimet e tjera që ndodhin për efektet të zbatimit të ligjeve të tjera, kufizimeve administrative apo kufizimeve të tjera ligjore të çështjes, je i dënuar apo jo, apo kufizimi i këtij parashikimi ligjor në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, i qenies së padënuar, i prezumimit ligjor të padënuar për efektet penale, këto janë diskutime të tjera.
Anila Hoxha: A nuk bie ndesh kjo me përpjekjet për të luftuar edhe për të nxjerrë nga institucionet ata njerëz, që janë pjesë e institucioneve dhe dënohen me këto formë dënimi dhe ndërkohë kanë kartelën e bardhë në finale? Do të duhet të ndryshohet diçka?
Florjan Kalaja: Kjo është pjesë tjetër e së drejtës. Unë do të fokusohesha më shumë tek kjo pjesa e profilit tim për të mos i dhënë vetes diçka, pavarësisht se unë e kam një mendim timin. Por kjo nuk është…
Anila Hoxha: Cili do të ishte mendimi juaj?
Florjan Kalaja: Unë vij me këtë, me kredencialin e punës time dhe me aktivitetin tim akademik.