Anglia shkon në çerekfinale me ‘frymën e fundit’, Sllovakët largohen me nder!
Anglia ishte një minutë larg mbylljes me turp të aventurës në Euro 2024, por në limitet e ndeshjes, britanikët barazuan ndaj Sllovakisë dhe në fund fituan pas kohës shtesë, me rezultatin 2-1. Sllovakët kishin kaluar në avantazh prej minutës së 25′ me anë të Ivan Schranz.
“Tre Luanët”, provuan gjithçka deri në minutën e 95′, teksa u ndalën më herët edhe nga shtylla pas një goditje të Declan Rice.
Mirëpo, u desh një roveshatë e Jude Bellingham që Anglia të mbetej pjesë e këtij Europiani duke e dërguar kështu ndeshjen në kohën shtesë.
Të entuziazmuar në maksimum nga goli në fundin e lojës, britanikët shënuan menjëherë edhe golin e përmbysjes në fillimin e pjesës së parë të kohës shtesë.
Harry Kane u gjend i lirë në zonë dhe me gjithë kuadratin e portës në dispozicion, nuk mund të gabonte. (VIDEO)
Në pjesën e dytë shtesë, Anglia menaxhoi më së miri avantazhin dhe pavarësisht vuajtjes, ia doli të kualifikohej për në çerekfinale aty ku do të përballet me Zvicrën. Sakaq, përfundon në 1/8-tat aventura e Sllovakisë në Euro 2024 që gjithsesi la shenjë sidomos pas kësaj sfide me Anglinë.