Homazhet për Kadarenë të mërkurën, kolosi i letrave shqipe do nderohet me ceremoni shtetërore!
Homazhet për kolosin e letrave shpiqe, Ismail Kadare, që u nda nga jeta mëngjesin e sotëm do të zhvillohen paraditen e së mërkurës.
Në nderim të shkrimtarit 88-vjeçar që konsiderohet nga shumë miq të tij si “fenomeni Kadare” do të organizohet një ceremoni shtetërore, por detajet mbeten ende të pazbardhura.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.