Biden kritikon vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial!
Presidenti amerikan, Joe Biden kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me imunitetin presidencial dhe që u konsiderua si një fitore për kundërshtarin e tij, ish-presidentin Donald Trump. Biden e cilësoi “një precedent të rrezikshëm, në dëm të popullit amerikan”.
Përmes deklaratave të qeta dhe të matura të dhëna nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden u shpreh se vendimi nënkupton se ka pak të ngjarë që Trump të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e votimeve të vitit 2020.
Në vendimin e një dite më parë, Gjykata e Lartë u shpreh se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare, një vendim që njeh për herë të parë një lloj imuniteti presidencial nga hetimi.
Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë. Askush nuk është mbi ligjin, as Presidenti i Shteteve të Bashkuara, theksoi Biden. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, shtoi ai “kjo ka ndryshuar rrënjësisht”.
Më tej nënvizoi:
Unë do të respektoj kufijtë e pushtetit presidencial, siç kam bërë për tre vjet e gjysmë, por çdo president, përfshirë Donald Trumpin, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin.
Presidenti demokrat Joe Biden po kandidon për një mandat tjetër përballë kundërshtarit republikan Donald Trump dhe ka qenë kritik ndaj veprimeve të rivalit të tij në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e Trump-it.
Tani, njeriu që dërgoi njerëzit në Kapitol po përballet me mundësinë për t‘u dënuar penalisht për atë që ndodhi atë ditë. Populli amerikan meriton të ketë një përgjigje nga gjykatat përpara zgjedhjeve të ardhshme, tha Biden duke iu referuar Trump-it.
Këto ishin deklaratat e tij të para në Shtëpinë e Bardhë pas debatit të parë presidencial me Trump-in, ku paraqitja e tij, e cila u cilësua si e dobët, nxiti thirrjet që ai të tërhiqej nga gara. Por, duket se Biden nuk ka ndërmend ta bëjë këtë edhe pse sondazhet e i kanë ulur mjaft pikë përballë një Trump-i që u akuzua si gënjeshtar, por që u shfaq tepër agresiv.