Bislimi-Petkoviç takim në Bruksel, nuk ka shanse për dakordësi!
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, sot takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të axhendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i akordit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.
Ndër të tjera i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë, të mos pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Lidhur me zbatimin, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Milan Radoiçiçit e që Vuçiç nuk i pranoi. Siç dihet, Radoiçiç mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë shtatorin e kaluar ku mbeti i vrarë një polic. Besohet se ai gëzon lirinë në Serbi.
Pritshmëritë që Bislimi dhe Petkoviç të bien dakord, nuk është se janë të mëdha. Disa raunde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në muajin maj pa ndonjë marrëveshje. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të mund të ecin përpara në rrugën e integrimit europian.
Javën e kaluar, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova dhe Serbia janë duke “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit”. Kjo pasi dështoi të mbahej një takim i paralajmëruar tripalësh i liderëve të të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.
Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet e për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja, shkroi O’Brien në X.
SHBA-të që mbështesin dialogun e Brukselit, vazhdimisht iu kërkojnë palëve t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, konfirmoi se në Bruksel nuk u mbajt takimi tripalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, duke theksuar se “Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë”.