Blinken: Propozimi për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë ende i mundshëm!
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se propozimi i Presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit është ende i arritshëm, ndërsa i ka kërkuar Hamasit që ta pranojë atë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, kryediplomati amerikan ka theksuar gjithashtu edhe rëndësinë e planeve të pasluftës, për të rindërtuar Gazën dhe parandaluar një vakum sigurie atje.
Ndërsa trupat izraelite vazhdojnë të thellojnë depërtimin në Gazë në ndjekje të militantëve, kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi të hënën se aftësitë ushtarake të Hamasit pothuajse janë eliminuar.
“Po i afrohemi fundit të fazës së eliminimit të ushtrisë terroriste të Hamasit dhe do të vazhdojmë të godasim mbetjet e saj”, tha zoti Netanyahu.
Njoftimi erdhi ndërsa shefi i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, i bëri thirrje Hamasit që të pranojë propozimin për paqe me disa faza. Ai foli gjatë një takimi në Institutin Brookings.
“Mendoj se propozimi i Presidentit Biden është i arritshëm. Do të ishte mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, për të ndaluar dhunën dhe rritur masivisht ndihmën, për t’i kthyer të gjithë në shtëpi, përfshirë pengjet amerikane”, tha zoti Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se nuk duhet të ketë një vakum sigurie në Gazë pas përfundimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
“Duhet të ketë plane të qarta, koherente dhe të arritshme për qeverisjen e Gazës, për sigurinë dhe natyrisht, për të ndihmuar njerëzit që të rindërtojnë jetët e tyre të shkatërruara”, tha zoti Blinken.
Një nga palestinezët, jeta e të cilit ka ndryshuar rrënjësisht dhe kërkon llogaridhënie, është Dr. Mohammed Abu Selmia, drejtor i spitalit Al Shifa. Ai u lirua të hënën nga një burg izraelit ku mbahej që nga nëntori.
“Na kanë torturuar keq, kam një gisht të thyer. Më goditën vazhdimisht në kokë, duke shkaktuar gjakderdhje disa herë. Torturat janë pothuajse të përditshme në burgjet izraelite”, tha Dr. Mohammed Abu Selmia, drejtor i spitalit Al Shifa.
Zyrtarët e burgut izraelit i thanë gazetës “Washington Post” se nuk ishin në dijeni të pretendimeve për tortura, duke shtuar se të burgosurit kanë të drejtë të paraqesin ankesa që do të shqyrtohen plotësisht.
Trupat izraelite bastisën vitin e kaluar spitalin Al Shifa, nën pretendimet se militantët e Hamasit po e përdornin atë si qendër komandimi. Zyrtarët e spitalit i mohuan akuzat.
Abu Selmia u lirua së bashku me rreth pesëdhjetë palestinezë të cilët u kthyen në Gazë për trajtim mjekësor.